RTSH 24 Live

Kosovë

VIDEO/ Sulmi ndaj policisë, efektivët e Kosovës arrestojnë 2 persona të grupit të armatosur

24/09/2023

VIDEO/ Sulmi ndaj policisë, efektivët e Kosovës arrestojnë 2 persona të grupit të armatosur

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se përveç eliminimit të 3 personave, pjesë e grupit të armatosur që po përplasen me policinë, ka arrestuar disa prej tyre.

Në një rast është evidentuar edhe me video, teksa efektivë të policisë së Kosovës kanë vendosur në pranga dhe shoqërojnë 2 prej grupit të 30 personave që vijojnë përplasjen e armatosur me policinë e Kosovës në veri të vendit.

Në në video e cila po qarkullon në rrjetet sociale shihen dy persona teksa shoqërohen nga mjeti i Policisë së Kosovës.

Ata janë dërguar në Stacionin Policor për t’u marrë në pyetje, dhe më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ndërkaq, situata në zonën e fshatit Banjska në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar teksa forcat e Policisë së Kosovës janë duke u përballuar me forcat serbe, ku kanë eliminuar deri më tani 3 tre persona.

Sipas informatave zyrtare nga policia e Kosovës “gjatë shkëmbimit të zjarrit konfirmohet vrasja edhe e dy sulmuesve të tjerë, të cilët kanë qenë të maskuar, të uniformuar dhe të armatosur rëndë, e po ashtu konfirmohet edhe arrestimi i një sulmuesi të uniformuar dhe të armatosur. Si pasojë e sulmeve një zyrtar policor i PK-së ka pësuar lëndime kryesisht të lehta”.

Informacionet zyrtare të deritanishme konfirmojnë vrasjen e tre sulmuesve, arrestimin e një sulmuesi, arrestimin e katër personave të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, nga ana e saj Policia e Kosovës vijon t’u “bëjë thirrje grupeve kriminale që të dorëzohen para organeve të drejtësisë dhe njëkohësisht fton qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit, në interes të qetësimit të situatës dhe sigurisë së përgjithshme”.

Gjithashtu hetimet dhe ekzaminimi i vendit të ngjarjes po vazhdon në bashkëpunim dhe “koordinim me të gjitha institucionet relevante, përfshirë Inspektoratin Policor të Kosovës”

Situata në Veri të vendit, konkretisht në zonën e fshatit Banjska vazhdon të jetë e tensionuar, grupet kriminale kohë pas kohe po sulmojnë me armë zjarri njësitet policore në teren, të cilat edhe përkundër sulmeve ndaj tyre po vazhdojnë angazhimin duke krijuar perimetër të sigurisë, në interes të qetësimit të situatës, ofrimit të sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë”, theksohet më tej në njoftimin e policisë së Kosovës.

Si ndodhi ngjarja e rëndë në veri të Kosovës

Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (24 shtator) në Mitrovicë Veri, në hyrje të fshatit Banjskë ku persona të armatosur bllokuan rrugën me kamionë dhe më pas qëlluan me armë zjarri dhe granata dore në drejtim të policisë së Kosovës. Për pasojë, një efektiv humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.

Njësitë e rendit në Zveçan, pas marrjes së informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të vendngjarjes. Sapo kanë mbërritur në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme qëlluar me armë zjarri përfshirë edhe granata dore ku si pasojë e sulmit mbeti i vrarë polici i Kosovës dhe një tjetër u plagos.

Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

/rtsh.al/