RTSH 24 Live

Aktualitet

Tragjedia e ‘Gërdecit’- Pas vendimit të Strasburgut, qeveria dëmshpërblen familjen Durdaj   

27/03/2024

Tragjedia e ‘Gërdecit’- Pas vendimit të Strasburgut, qeveria dëmshpërblen familjen Durdaj   

Tragjedia e “Gërdecit” vijon të jetë në qendër të çështjeve gjyqësore të shtetit shqiptar edhe pas 16 vitesh, jo vetëm brenda vendit, por edhe në gjykatat ndërkombëtare.

Pas vendimit përfundimtar të marrë nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg më 7.2.2024, Këshilli i Ministrave në mbledhjen e të mërkurës vendosi të ekzekutojë vendimin e marrë nga kjo Gjykatë për çështjen “Durdaj dhe të tjerë kundër Shqipërisë” (Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj) për të dëmshpërblyer familjet e prekura nga tragjedia e Gërdecit.

Në VKM thuhet se pagimi i shumave të depozituara do të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.

Në rast mospagimi brenda afati 3-mujor, për shumat e përcaktuara, do të paguhen interesa të thjeshte të barabartë me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.

“Efektet financiare të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2024.”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Zamira Durdaj, humbi të birin në tragjedinë e Gërdecit. Në muajin Shkurt 2021, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjecarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008, iu drejtuan organeve të drejtësisë së re për të rifilluar ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut, ish Ministër i Mbrojtjes.

Vendimi i Gjykatës

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar shkelje të Konventës së të Drejtave të Njeriut për çështjen “Gërdeci”, që ndodhi në mars të 2008. 

Në vendim thuhet se shteti i paditur duhet të dëmshpërblejë kërkuesit brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë.

“Shteti i paditur duhet t’u paguajë kërkuesve, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë në përputhje me Konventën, shumat e mëposhtme: bashkërisht Zamira Durdajt dhe Feruzan Durdajt, 12 000 euro (dymbëdhjetë mijë euro), plus çdo taksë që mund të paguhet për dëmin jopasuror; aplikantëve të mbetur, 10,000 (dhjetë mijë euro) secili, plus çdo taksë që mund të paguhet për dëmin jopasuror; bashkërisht për të gjithë aplikantët, 8,000 (tetë mijë euro) euro, plus çdo taksë që mund t’u ngarkohet atyre, në lidhje me kostot dhe shpenzimet; që nga skadimi i tre muajve të sipërpërmendur deri në shlyerje, do të paguhet interes i thjeshtë për shumat e mësipërme me një normë të barabartë me normën marxhinale të huadhënies të Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së mospagimit plus tre pikë përqindjeje”, thuhet në vendimin e Strasbugut.

Personat që dërguan çështjen në Strasburg janë Zamira Durdaj dhe Feruzan Durdaj, prindërit e të ndjerit Erison Durdaj, Feruzan Durdaj, Roxhens Durdaj, Alketa Hazizaj, Aishe Selami, Pashk Kaçi, Mirela Hazizaj, Miselda Zguri, Medi Gola, Rabie Gërdeci,  Shaban Brahushi, Sabrie Picari, Dylbere Prini, Adelina Cani, Meltina Haka, Bege Aliu dhe Esmeralda Sefaj.

“Në momentin e shpërthimit Erison Durdaj, atëherë shtatë vjeç, kishte kaluar pranë objektit së bashku me kushëririn e tij, Roxhens Durdaj, duke i lënë një drekën nënës së Roxhensit dhe tezes së Erisonit, i cili punonte në objekt. Erison Durdaj mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi dhe u transferua në një spital në Itali si masë urgjente, ku vdiq më 3 prill 2008. Roxhens Durdaj, në atë kohë 11 vjeç, mbeti i plagosur rëndë nga flakët e shpërthimit. Të trembëdhjetë aplikantët në aplikimin nr. 46707/13 , si dhe kërkuesi i dytë në kërkesën nr. 46714/13 Alketa Hazizaj, ishin duke punuar në objekt dhe u plagosën rëndë nga shpërthimi’, shkruhet në vendim.

/rtsh.al/