RTSH 24 Live

Sociale

Thumanë-Kashar/ Banorët e Bërxullës protestë para Kryeministrisë: Rruga prek pronat tona, Balluku të ulet në bisedime me ne

16/11/2022

Thumanë-Kashar/ Banorët e Bërxullës protestë para Kryeministrisë: Rruga prek pronat tona, Balluku të ulet në bisedime me ne

Banorët e Bërxullës kanë dalë në protestë para Kryeministrisë pasi pronat dhe banesat e tyre preken nga ndërtimi i aksit Thumanë-Kashar.

Të shqetësuar, ata shprehen se ende nuk kana marrë shpronësimet, ndërsa shtojnë se edhe nëse do u japin shpronësim ato para as nuk u mjaftojnë të blerë një shtëpi apo shkuar diku tjetër.

Një tjetër banor thotë se nuk dëshiron të dalë nga banesa e tij pasi ka derdhur gjak për ta ndërtuar.

“Në do t‘i qëndrojmë pronës tonë deri në momentin e fundit. Edi Ramës do ti jap dorën dhe për një shkollë që ka ndërtuar në Bërxullë dhe pse ka problemet e veta se s’ka energji elektrike. Kemi një kryeplak që nuk është mashtruar me asnjë lek. Dhe sikur të më japin milionat, nuk e shes shtëpinë se kam derdhur gjak. I jap dorën Edi Ramës, por jo të na zaptojnë pronën. Kam hapur dhe fabrikë, kam punësuar komshinjtë e mi”, tha një prej banorëve.

“Ai që po bën punimet ka thënë që do merrni shpronësimin e qeverisë dhe do ju jap shtesë 2 milionë lekë. Po kush e jep pronën për 6 milionë lekë? Kemi shkuar në të gjithë institucionet përkatse dhe na kanë sjellë përgjigje që nuk kanë asnjë njoftim për këtë projekt. Se kuptoj si kanë filluar punimet. Normalisht qeveria është në dijeni se nuk mund të vijnë. Sikur nami të bëhet nuk i lëmë shtëpitë. Të vijnë të bisedojnë me ne. Preken 50 banesa dhe 30 hektarë në total. Ne do e ngremë zërin tonë, kjo betejë do jetë shumë e fortë. Me gjak do e mbrojmë. Është djersa e prindërve të mi. Dhe unë e kam derdhur djersën time. Prona është pasuri dhe nuk lëshohet”, u shpreh një tjetër.

Të tjerë thonë se do të ngrëne zërin çdo ditë, ndërsa kërkojnë ministren Balluku që të ulet në bisedime me banorët.

“Ne do të shpronësohemi me anë të VKM-së ,me 4 milionë lekë, ky është ligji që është zbatuar nga Këshilli i Ministrave. Vetë pronari ka thënë do iu japin edhe 2 milionë lekë më tepër, dhe ti me 6 milionë lekë mbyll kapitullin. Ai që po bën punimet, që ka marrë lotin e Bërxullit ka thënë këto fjalë. Kemi rreth 35 ditë që protestojmë nuk do e lejojmë në asnjë lloj momenti, asnjëlloj forme sikur nami le të bëhet. Le të vijë Balluku të ulet në bisedime sepse e kemi kërkuar që nga dita e parë, sot po e kërkojmë të vijë të ulet me ne. Janë kërkesat njerëzore, çfarë do bëj unë me 4 milionë lekë. Ne do ta ngrejmë zërin tonë, nuk do ta lëshojmë këtë gjë, këtë betejë do jetë mjaft e fortë, ta dinë edhe koncensionarët, me gjak do ta mbrojmë pronën tonë, është djersa e të gjithëve. Edhe unë që kam 27 vite kam derdhur djersë aty jo më prindërit e mi, me gjithë sakrificat e kanë mbrojtur, aty hanë bukë edhe brezat e ardhshëm, është pronë pasuri”, tha një banore.

/rtsh.al/