Në një përpjekje globale për të rritur ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, tetori është caktuar si Muaji Rozë. “Tetori Rozë” është një muaj ku bëhen përpjekje për të edukuar njerëzit lidhur me sëmundjen, duke përfshirë identifikimin e hershëm, shenjat dhe simptomat që lidhen me kancerin e gjirit.
Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit festohet në tetor që nga vitet 1985 si një fushatë njëjavore ndërgjegjësuese dhe përfundimisht u shndërrua në një ngjarje njëmujore.
Quhet "Tetori Rozë" pasi njerëzit në mbarë botën adoptojnë ngjyrën rozë dhe shfaqin një fjongo rozë për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e parandalimit dhe kontrollet rutinë për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, kanceri i dytë më i diagnostikuar në botë.
90% e kancereve të gjirit në fazën e hershme janë të shërueshme, shpesh me trajtime që ruajnë gjirin, ndërsa fushatat edukuese informojnë edhe mbi rëndësinë e vetëkontrollit të vetes për ndonjë shenjë të hershme si dhe kryerja e mamografive periodike.
Çdo vit, sipas OBSH-së, kanceri i gjirit prek rreth 2.3 milionë gra dhe vajza në të gjithë botën. Në mjedise me burime të varfëra, shumica e grave me kancer gjiri diagnostikohen në një fazë të avancuar të sëmundjes, duke rezultuar në shkallë të ulët të mbijetesës.
/rtsh.al/