Anëtarët e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar u mblodhën të hënën më 12 qershor për të shqyrtuar të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga aplikantët që shprehën interes për të drejtuar median e vetme publike në Republiken e Shqipërisë.
Në mbledhje ishin të pranishëm 9 nga dhjetë anëtarë, të cileve iu vunë në dispozicion nga zyra e protokollit të RTSH-së të gjitha dosjet e aplikantëve që hodhën kandidaturën në respekt të thirrjes që bëri sipas ligjit Këshilli Drejtues.
Anëtarët e Këshillit Drejtues shqyrtuan dosjet e vëna në dispozicion për gjashtë kandidatë që u paraqitën në garë, duke pare brenda secilit zarf që ishte i mbyllur sipas kërkesës së ligjit dokumentacionin e dorëzuar prej tyre.
Kandidatët janë sipas rendit alfabetik Alfred Peza, Engjëllush Musai, Enrik Mehmeti, Helidon Haliti, Laureta Roshi dhe Viron Roboçi.
Kryetari i Këshillit drejtues Leka Bungo shpjegoi para anëtarëve procedurën që parashikon ligji për detyrat që ka Këshilli në këtë fazë të procesit.
Sipas ligjit, pas shqyrtimit të dosjeve, tetë anëtarët e Këshillit Drejtues votuan në mënyrë të fshehtë në lidhje me vlerësimin e dosjeve që janë dorëzuar.
Komisioni i votimit përbëhej nga 3 anëtarë, Milena Selimi, Edmond Tullumani dhe Engjëll Ndocaj, të cilët në përfundim të procesit të fshehtë të votimit lexuan rezultatet e prodhuara.
Rezultatet e votimit u lexuan nga Kryetari i Këshillit Leka Bungo dhe u kalifikuan Alfred Peza, Enrik Mehmeti, Helidon Haliti dhe Laureta Roshi.
Mbledhja e ardhshme e Këshillit Drejtues u vendos të jetë në 13 qershor 2023, të martën ku do të dëgjohen platformat e kandidatëve të kualifikuar për garën dhe më pas do të kryhet votimi i fshehtë për të zgjedhur Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH-së.
/rtsh.al/