RTSH 24 Live

Ekonomi

Tatimi mbi të ardhurat, Financat fusin në filtër drejtorët nëpër borde dhe këshillat drejtues që marrin shpërblime

18/05/2023

Tatimi mbi të ardhurat, Financat fusin në filtër drejtorët nëpër borde dhe këshillat drejtues që marrin shpërblime
Ministria e Financave

Ministria e Financave, në mënyrë të detajuar, ka përcaktuar tashmë se cilat të ardhura do të jenë objekt i tatueshëm ku përfshihen të ardhurat nga punësimi, biznesi apo investimet.

Çdo person do ta ketë shumë më të vështirë që të shmangë tatimin mbi të ardhurat nga punësimi ku hyjnë pagat, shpërblimet dhe përfitimet që rrjedhin nga marrëdhënie punësimi ose të ngjashme me to.

Këtu përfshihen edhe transferimet apo huazimet e punonjësve, pavarësisht nëse këto marrëdhënie janë aktuale, të ardhshme ose të kaluara, dhe ku tatimpaguesi është i detyruar të ndjekë udhëzimet e paguesit të të ardhurave, në mënyrë që të marrë  pagesën apo shpërblimin.

Të ardhurat e tatueshme

Të ardhurat vjetore të tatueshme nga marrëdhëniet e punësimit përcaktohen si shuma e përgjithshme e të ardhurave të tatueshme nga punësimi, të marra nga një tatimpagues gjatë vitit tatimor.

Shuma e pagave dhe të ngjashme me to të paguara në një pagesë të vetme në një vit të caktuar përbëjnë  të  ardhura  të  viteve  për të cilat janë paguar.

Nga ana tjetër, edhe shumë poste si drejtorë nuk do mund t’u shmangen më tej tatimeve, lidhur me shpërblimet si drejtorë, shpërblimet si anëtar i bordit të drejtorëve ose i organit ligjor të një  shoqërie, si dhe  shpërblimet për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në këshillat drejtues.

Sipas ministrisë së Financave, shpërblimet dhe përfitimet e paguara nga shoqëria për ortakun e saj për punën e kryer për këtë shoqëri, të ardhurat e fituara nga një individ i vetëpunësuar nëse 80 për qind ose më  shumë e të  ardhurave të fituara merren direkt ose indirekt nga një klient i vetëm; ose 90 për qind ose më shumë e të ardhurave totale të fituara merren nga më pak se 3 klientë do jenë pjesë e tatueshme.

Të ardhurat nga punësimi

Të ardhurat nga punësimi që do të tatohen, përfshijnë edhe pagesat që kryhen në rastet  e  humbjes ose ndërprerjes së arrëdhënieve të punësimit.

Kur të ardhurat nga punësimi i paguhen një të punësuari nëpërmjet një agjenti punësimi jorezident në Shqipëri dhe shuma e përgjithshme e paguar përfshin tarifën e komisionit, të ardhurat nga punësimi  konsiderohen të jenë së paku 80% e shumës së përgjithshme, do të tatohen.

Të ardhura të përftuara nga punësimi nuk do të konsiderohen si të tilla në rastet kur:

a) vlera e ushqimeve të konsumuara, pijeve joalkoolike, pajisjet e punës, trajtimi mjekësor dhe përfitime të tjera të parashikuara, në ambientet  ku operohet nga ose në emër të një punëdhënësi, janë të disponueshme për të gjithë të punësuarit në kushte të ngjashme dhe krijojnë kushte më të mira pune për të punësuarit;

b) rimbursimi i shpenzimeve të udhëtimit dhe akomodimit dhe dietat e udhëtimit, paguhen në bazë të procedurës së përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, apo akteve nënligjore në  zbatim të  këtij ligji;

c) kompensimet për punonjësit në rast të sëmundjeve, fatkeqësive apo vështirësive të jetesës sipas parashikimeve  në  legjislacionin përkatës në fuqi dhe dispozitave të akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji;

ç) kontributet për sigurimin e jetës, shëndetit dhe aksidenteve në punë;

d) të ardhurat që rrjedhin nga pagat dhe kompensimet për marrëdhëniet e punës të zyrtarëve të konsullatave, diplomatët, ose të ngjashëm të vendeve të treta dhe organizatave ndërkombëtare, të cilët gjatë kryerjes së funksioneve të tyre   zyrtare në Republikën e Shqipërisë, në    përputhje me konventat apo marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, pranuara ose nënshkruara nga Shqipëria apo Këshilli i Ministrave, gëzojnë statusin diplomatik.

/rtsh.al/ a.meta/