Presidenti, Bajram Begaj, ka pritur këtë të diel (26 mars) në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Begaj bën me dije se në fokus të takimit ishin zhvillimet e fundit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndalur tek arritjet të marrëveshjes së Ohrit, Begaj vlerësoi angazhimin e palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij, që për Begajn është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj shprehu gjithashtu besimin se "zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht"
Kurti takon Nikollën
Nën të njëjtën frymë është zhvilluar edhe takimi i kryeministrit Kurti me kryeparlamentaren, Lindita Nikolla. Mbështetja për rolin e luajtur nga kryeministri në marrëveshjen e Ohrit dhe mundësitë që krijon kjo marrëveshje, për marrëdhëniet në Ballkan, ishin pjesë bisede e këtij takimi.
"Mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjelltë mes dy vendeve, vlerësojmë Planin Evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në zbatimin e aneksit të këtij Plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike.”, u shpreh Kryetarja Nikolla.
Kryeministri Kurti vuri në dukje vendosmërinë e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për avancimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e Planit Evropian, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe duke bashkëpunuar ngushtë me BE dhe SHBA.
Kjo vizitë e kryeministrit të Kosovës vjen disa ditë pas marrëveshjes arritur në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
/rtsh.al/