RTSH 24 Live

Aktualitet

Sulmet e Metës ndaj kreut të SPAK, KLP: Dënojmë gjuhën fyese e të urrejtjes, që synon të denigrojë padrejtësisht prokurorët

16/04/2024

Sulmet e Metës ndaj kreut të SPAK, KLP: Dënojmë gjuhën fyese e të urrejtjes, që synon të denigrojë padrejtësisht prokurorët

Sulmet e kryetarit të PL-së, Ilir Meta kundër kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, kanë nxitur një reagim të ashpër nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili, nëpërmjet një njoftimi për shtyp bëri të ditur se i dënon këto sulme.

KLP-ja i vlerëson deklaratat Metës kundër Dumanit si mjaft shqetësuese.

"Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio- vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme", thuhet në njoftimin për shtyp të KLP-së.

Sipas Këshillit të Lartë të Prokurorisë, çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë.

“Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta. Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush.", përfundon deklarata e KLP-së.

Dumani: Nuk e kam takuar kurrë McGonigal

Edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani reagoi të martën, lidhur me akuzat e Metës se është takuar me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal nisi hetimet ndaj tij pas këtij takimi.

Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme, të pabaza që bëhen për institucionin që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve në mediat shqiptare”, tha Dumani.

/rtsh.al/