Një lugë me vaj ulliri çdo ditë mund të ulë rrezikun e vdekjes nga demenca, sipas një studimi të ri nga shkencëtarët e Harvardit. Për më shumë se 92 mijë të rritur të vëzhguar gjatë 28 viteve, konsumimi i të paktën 7 gramë, pak më shumë se gjysmë luge, vaj ulliri në ditë lidhej me një rrezik 28% më të ulët të vdekjes nga demenca, krahasuar me ata që nuk hanin kurrë ose rrallëherë ullinj. Studimi është versioni i rishikuar dhe i finalizuar i një abstrakti, hulumtimi i hershëm që autorët prezantuan në korrik 2023 në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane për Ushqimin.
"Studimi ynë përforcon udhëzimet dietike që rekomandojnë vajra bimore si vaji i ullirit dhe sugjeron që këto rekomandime jo vetëm mbështesin shëndetin e zemrës, por potencialisht edhe shëndetin e trurit. Zgjedhja e vajit të ullirit, një produkt natyral, në vend të yndyrave të tilla si margarina dhe majoneza komerciale, është një zgjedhje e sigurt dhe mund të zvogëlojë rrezikun e demencës fatale", tha bashkautorja e studimit Anne-Julie Tessier.
Autorët e studimit të fundit vlerësuan dietat e pjesëmarrësve çdo katër vjet përmes një pyetësori dhe Indeksit Alternativ të Ushqimit të Shëndetshëm, i cili cakton vlerësime për ushqimet dhe lëndët ushqyese që parashikojnë sëmundje kronike.
Zëvendësimi i 5 gramëve, rreth 1.2 lugë çaji margarinë ose me vaj ulliri u shoqërua me një rrezik 8% deri në 14% më të ulët të vdekjes nga demenca. Rezultatet e zëvendësimit me vajra të tjerë bimorë ose gjalpë nuk ishin domethënëse, zbuluan autorët./ CNN
/rtsh.al/