RTSH 24 Live

Kosovë

Stoltenberg viziton Kosovën dhe rajonin

17/11/2023

Stoltenberg viziton Kosovën dhe rajonin

Nga data 19 deri më 22 nëntor, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të vizitojë Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dielën, më 19 nëntor, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të udhëtojë në Bosnje dhe Hercegovinë, ku do të ketë një darkë pune me anëtarët e Presidencës.

Të hënën, më 20 nëntor, Stoltenberg do të takohet me Përfaqësuesin e Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën, Christian Schmidt. Ai do të takohet edhe me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Krishto.

Stoltenberg do të vizitojë selinë e NATO-s në Sarajevë dhe do të ketë takime me udhëheqës ushtarakë dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Në të njëjtën ditë, sekretari i Përgjithshëm do të vazhdojë udhëtimin e tij në Kosovë, ku do të ketë diskutime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin  Albin Kurti.

Stoltenberg gjithashtu do të vizitojë kampin Nothing Hill të KFOR-it të NATO-s, ku do të takohet me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ulutaş dhe do t’u drejtohet trupave. Ai do të takohet gjithashtu me Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, gjeneral brigade Hammerstein.

Të martën, më 21 nëntor, sekretari i Përgjithshëm do të jetë në Beograd, ku do të  ketë takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministren Ana Brnabiç.

Më vonë atë ditë, Stoltenberg do të udhëtojë në Maqedoninë e Veriut për t’u takuar me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Ai do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dhe do të mbajë një fjalim para Kuvendit.

Të mërkurën, më 22 nëntor, sekretari i Përgjithshëm do të marrë pjesë në një takim me liderët aleatë nga rajoni. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç dhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, janë ftuar të marrin pjesë, thuhet në njoftimin e NATO-s.

/rtsh.al/