Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga stërvitja ndërkombëtare “Urban Operations 24”, e zhvilluar në Camp Novo Selo, Bullgari.
Në këtë stërvitje, Toga e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, pjesë e Kontingjentit të IV “FLF BGR”, përmbylli me sukses trajnimet në zonat urbane “Urban Operations 24”.
“Gjatë kësaj stërvitjeje në Camp Novo Selo, forcat tona treguan aftësi të shkëlqyera operacionale në bashkëpunim të ngushtë me aleatët e NATO-s. Efektivët tanë shpalosën profesionalizëm të lartë, si pjesë e Forward Land Force Battle Group Bulgaria”, shkruan Vengu.
Ministri Vengu vlerësoi këtë arritje si një dëshmi të investimeve të vazhdueshme në kapacitetet ushtarake shqiptare.
“Ky sukses është një dëshmi e investimeve të vazhdueshme në kapacitete ushtarake, që synojnë misione sa më të suksesshme, jo vetëm brenda, por edhe përtej kufijve tanë. Përgatitja e lartë e efektivëve tanë është themeli i angazhimit tonë për paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë”, thekson Vengu.
Stërvitja “Urban Operations 24” synon përgatitjen e forcave për operacione komplekse në mjedise urbane, duke forcuar ndërveprimin dhe koordinimin mes aleatëve të NATO-s.
/rtsh.al/