Mjeti zbritës që mbart roverin e parë kinez të Marsit, ka prekur me sukses “planetin e kuq” të shtunën herët në mëngjes sipas orës së Pekinit, njofton CRI. Kjo është hera e parë që një sondë kineze zbret në një planet tjetër përveç Tokës. Presidenti i Kinës Xi Jinping shprehu urime për zbritjen e suksesshme të sondës në një mesazh për të gjithë pjesëmarrësit e misionit.

Zbritja u krye në një vend të paracaktuar në jug të një zone të akullt të Marsit, të njohur si Utopia Planitia.

Emri i mjetit zbritës“Tianwen”, që do të thotë “Pyetje qiellit”, vjen nga një poezi e shkruar nga poeti i lashtë kinez Qu Yuan (rreth 340-278 para erës sonë). Roveri quhet “Zhurong” sipas Perëndisë së Zjarrit në mitologjinë e lashtë kineze, që ka ngjashmëri me emrin kinez të Marsit: Huoxing (planeti i zjarrtë).

Roveri "Zhurong" do të marrë pamje të vendit të zbritjes, si edhe do të kryejë vetëkontrollin dhe nisjen nga platforma e zbritjes, për vijimin e ekspeditës. Ai përmban gjashtë lloje ngarkesash shkencore, që synojnë të zbulojnë më shumë të fshehta të Marsit. Gjithashtu, planifikohet edhe marrja e mostrave nga “planeti i kuq” dhe dërgimi i tyre në Tokë.

Modeli i roverit Zhurong(foto:VCG)

Modeli i roverit "Zhurong"(foto:VCG)

Kina bëhet kështu vendi i dytë në botë që zbret një rover në Mars pas ShBA-së.

Sonda, e përbërë nga një orbitues, një zbritës dhe një rover, u lëshua nga bregdeti i provincës ishullore të Kinës Jugore Hainan më 23 korrik 2020. Ky është hapi i parë i Kinës në eksplorimin planetar të sistemit diellor, me objektivin për të kryer orbitimin, uljen dhe lëvizjen në Mars në një mision.

Anija kozmike hyri në orbitën e Marsit në shkurt, pas një udhëtimi prej gati shtatë muajsh në hapësirë, dhe kaloi më shumë se dy muaj duke vëzhguar vendet e mundshme të uljes.

Shkencëtarët kinezë po kërkojnë më shumë prova për prani të akullit e ujit, dhe do t'i ndajnë të dhënat me homologët e tyre të huaj.