RTSH 24 Live

Aktualitet

Skandali në Onkologjik, Rama: Histori e pagëlltitshme, tregues se duhet të përmirësojmë sistemin

3 orë para

Skandali në Onkologjik, Rama: Histori e pagëlltitshme, tregues se duhet të përmirësojmë sistemin

“Histori të pagëlltitshme” e konsideroi kryeministri Edi Rama skandalin në Spitalin Onkologjik, teksa iu rikthye kësaj çështje në podcastin e tij “Flasim”.

Sipas Ramës, ky skandal është tregues se sistemi ka ende nevojë të përmirësohet dhe po ashtu edhe mënyra e menaxhimit.

Ishte një tregues që kemi akoma nevojë të përmirësojmë sistemin dhe mënyrën e angazhimit. Dihet, e ka thënë një veteran i famshëm i BBC, lajm nuk është kur kafshon qeni njeriun, por njeriu qenin. Në rastin konkret, lajmi nuk është që këta mjekë bëjnë 90 mijë ndërhyrje në vit, mirëpo kur të del një rast si ai, ose i Sanatoriumit, këto janë raste që godasin besimin te sistemi”, tha Rama.

Ndalur te reforma në sistemin shëndetësor, kreu i qeverisë u shpreh se mjeku për të punuar në privat duhet të njoftojë dhe të marrë aprovim.

Këtë lidhjen e publikut me privatin, thjesht tani edhe për shkak të mësimeve që nxorëm nga historitë e pagëlltitshme të Onkologjikut, e kemi që thjesht mjeku që punon në publik mund të punojë në privat, por duhet të njoftojë dhe të marrë aprovim. Nuk mund të jetë ‘hajt se po nisem’. Sjellja e pacientit sa andej këndej është thyerje e rëndë e kodit të etikës”, theksoi ai.

Zbulimi i skandalit në Onkologjik zbuloi se dy mjekë dhe 5 punonjës të tjerë publikë dhe privatë, kishin ngritur një skemë abuzimi në dëm të pacientëve, duke u krijuar pengesa artificiale në spitalin publik dhe duke i drejtuar për qëllime përfitimi në klinika private, akuza të cilat ata nuk i kanë pranuar.

/rtsh.al/