RTSH 24 Live

Politikë

Shtyrja e seancës, PD: Vendim antikushtetues i Spiropalit! Kryeparlamentarja: Reflektoni mbi degradimin etik

10/10/2024

Shtyrja e seancës, PD: Vendim antikushtetues i Spiropalit! Kryeparlamentarja: Reflektoni mbi degradimin etik

Antikushtetues e ka konsideruar Partia Demokratike vendimin për shtyrjen e seancës plenare. Seanca plenare, që duhej të mbahej sot, është shtyrë më 17 tetor, ndërsa PD thotë se shtyrja u bë me vendim të kryeparlamentares, Elisa Spiropali.

Kuvendi i Shqipërisë është institucion kushtetues, që funksionon sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Seanca plenare dhe plani i punës së Kuvendit miratohen nga Konferenca e Kryetarëve me mirëkuptim apo nga seanca plenare, që ka përcaktuar me vendim se dita e enjte, datë 10 Tetor 2024, është ditë për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare. Kryetarja e Kuvendit ka vetëm detyrimin për të caktuar çështjet qe trajtohen, pra Rendin e Ditës.

Anulimi i seancës me vendim personal të Elisa Spiropalit është antikushtetues dhe bie ndesh me çdo parim demokratik të funksionimit të Parlamentit. Kuvendi nuk është qelia personale në burg e Pëllumb Gjokës, që për shkak të lidhjeve me pushtetin, ai e hap e mbyll sa herë dëshiron. Kuvendi është tempulli i përfaqësimit të qytetarëve, që nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb Gjokës”, shkruhet në reagim.

Sipas tyre, Spiropali nuk është konsultuar dhe nuk ka ndjekur rregullat për të marrë vendimin për shtyrjen e seancës, teksa me ironi në reagim shkruhet se “Kuvendi nuk është qelia personale në burg e Pëllumb Gjokës”.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, që hap e mbyll punimet e Kuvendit, pa asnjë konsultim, pa ndjekur asnjë rregull, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, dhe duke e shndërruar zyrtarisht Parlamentin e Shqipërisë në qelinë personale në burg ku strehohet Pëllumb Gjoka apo të ngjashmit e tij”, theksohet në reagim.

Kryeparlamentarja u përgjigj duke e konsideruar reagimin si “komunikatë goditëse me gjuhën e shpifjes”. Sipas Spiropalit, ky reagim është vijim i aksionit të nisur prej PD-së që ajo i referohet si “vazhdë e sulmeve jonjerëzore”.

Kryetarja e Kuvendit, shpreh keqardhje të sinqertë për komunikatën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila është vazhdë e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës. Kryetarja e Kuvendit e fton Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe posaçërisht autorin e goditjes me këmbë karrigeje, si edhe të kësaj komunikate goditëse me gjuhën e shpifjes, të reflektojnë mbi degradimin etik që po karakterizon veprimtarinë e tyre.

Kryetarja e Kuvendit e siguron Kuvendin dhe zgjedhësit se këto shfaqje degraduese të pakicës së të zgjedhurve, as nuk e intimidojnë dhe as nuk e pengojnë dot të kryejë me përkushtim, drejtësi dhe besnikëri të palëkundur ndaj rregullave të Kuvendit, rolin e saj institucional”, thuhet në reagim.

Sot në Tiranë pritet të mbërrijë Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan (Recep Tayyip Erdoğan). Sipas axhendës, Presidenti turk gjatë kësaj vizite zyrtare në Tiranë, do të marrë pjesë pasditen e sotme në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë, e cila ndodhet pranë Parlamentit shqiptar.

/rtsh.al/