RTSH 24 Live

Politikë

Shqipëria përplaset me Rusinë në OKB, ambasadori Hoxha: Kosova e Serbia takohen e dialogojnë, nuk luftojnë si Rusia në Ukrainë

28/09/2022

Shqipëria përplaset me Rusinë në OKB, ambasadori Hoxha: Kosova e Serbia takohen e dialogojnë, nuk luftojnë si Rusia në Ukrainë

Paralelizmi i luftës për çlirimin e Kosovës dhe sulmit ushtarak që Rusia po kryen në Ukrainë, ka nxitur sërish debat mes Shqipërisë dhe Rusisë në Këshillin e Sigurimit në OKB. Teksa ambasadori i Rusisë në OKB akuzoi Perëndimin për standarde të dyfishta, shtoi se për pavarësinë e Kosovës nuk pati referendum, ndërsa Rusia po i bën gjërat ndryshe në Ukrainë.

“Duke i refuzuar banorëve të Donbasit në territoret e çliruara të Ukrainës, të drejtën për vetëvendosje, delegacionet perëndimore po demonstrojnë standardet e tyre të dyfishta skandaloze. Kritikët më të zëshëm të referendumit në Donbas e Zaporozhia ishin dikur të parët në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Pastaj deklaruan se territori kishte të drejtë të shkëputej nga shteti serb nëse ekzistonte një kërcënim real që të drejtat e shqiptarëve të Kosovës do të cenoheshin rëndë nga e ashtuquajtura vazhdimësi korrigjuese. Në Kosovë absolutisht nuk ka pasur referendum, nuk ka vota të lira të popujve atje. Ka qenë vetëm një shpallje e pavarësisë, e miratuar nga autoritetet e përkohshme vetëqeverisëse që tejkaluan kompetencat e tyre. Në atë kohë kjo ishte e mjaftueshme që Perëndimi të njihte pavarësinë e Kosovës dhe konfirmoi se e drejta ndërkombëtare nuk e pengonte atë të shpallte pavarësinë e saj.”, tha Rusia.

Kjo paralele provokuese nuk është pranuar nga Shqipëria, ku ambasadori Ferit Hoxha tha se krijimi i një paralele të tillë është artificiale dhe e sforcuar, pasi situatat nuk janë aspak të krahasueshme. Në fund Hoxha i kujtoi Rusisë se Serbia dhe Kosova takohen dhe dialogojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, dhe nuk lufton siç po bën Rusia në Ukrainë.

“Delegacioni rus hoqi përsëri një paralele me Republikën e Kosovës, një vend i pavarur që është njohur nga gjysma e Kombeve të Bashkuara duke përfshirë gjysmën e këtij këshilli, pra kjo është e gabuar, e pasaktë dhe për të ardhur keq. Asgjë nuk mund të jetë më artificiale dhe e detyruar sesa krahasimi i përpjekjeve ndërkombëtare për t’i dhënë fund konfliktit, për të mbrojtur civilët dhe për të vendosur një proces paqeje, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme siç ishte rasti i Kosovës, me agresionin e pastër dhe të paprovokuar dhe referendumin që po mbahet tani në Ukrainë. Askush nuk mund të mashtrohet nga kjo, askush nuk tenton të krahasojë të pakrahasueshmen, asnjë rrugë e shkurtër nga konteksti historik dhe politik nuk do ta ndihmojë Rusinë të largojë vëmendjen nga lufta e saj në Ukrainë. Kosova dhe Serbia janë të lidhura së bashku nga dialogu për t’i zgjidhur problemet. Ato takohen, nuk luftojnë!” tha Hoxha.

/rtsh.al/