RTSH 24 Live

Aktualitet

Shqipëria ende pa ambasador të SHBA, Senati amerikan s’ka votuar kandidaturën e David Kostelancik

3 orë para

Shqipëria ende pa ambasador të SHBA, Senati amerikan s’ka votuar kandidaturën e David Kostelancik

David Kostelancik, i nominuari nga presidenti Joe Biden për ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ende nuk ka marrë miratimin e Senatit amerikan për t’u konfirmuar si përfaqësuesi i saj diplomatik në vendin tonë.

Senatorja Jeanne Shaheen më 24 shtator paraqiti një mocion mbështetës, që Senati  të miratonte kandidaturën e tij pa vonesa, por për mungesë kuorumi mocioni i saj nuk u hodh për votim, duke vonuar sërish sjelljen e një ambasadori të ri në Shqipëri.

“Për mbi 35 vjet, zoti Kostelancik ka shërbyer si diplomat karriere në shërbimin e Jashtëm dhe është i kualifikuar për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në një kryeqytet aleat. “ – u shpreh senatorja demokrate.

Ajo vuri në dukje se Kostelancik ka shërbyer edhe më parë në Shqipëri. “Është e qartë se ne kemi një kandidat shumë të kualifikuar për të shërbyer si Ambasador në Shqipëri. Është kritike që të konfirmojnë një ambasador në atë vend dhe ta bëjmë pa vonesë.”- u shpreh Shaheen më 24 shtator.

Në fillim të vitit, presidenti i SHBA ripropozoi emrin e Dejvid Kostelançik si ambasador në Shqipëri, pasi më herët Senati amerikan nuk e miratoi emërimin e tij për shkak të tejkalimit të afateve.

Kandidatura e tij kaloi në prill në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë, por është bllokuar në senat.

Kostelancik u emërua ambasador i Shteteve të Bashkura në Tiranë nga Biden më 24 janar të vitit 2023.

Në periudhën 1992- 1994 Kostelançik shërbeu si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e porsahapur amerikane në Tiranë.

Nëse kandidatura e tij miratohet, Kostelancik do të zëvendësojë ish-ambasadoren Juri Kim, që u largua pas përfundimit të mandatit.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/