RTSH 24 Live

Ekonomi

Shqipëria dhe Franca forcojnë bashkëpunimin në administrimin e pyjeve

13/04/2024

Shqipëria dhe Franca forcojnë bashkëpunimin në administrimin e pyjeve

Në kuadër të vizitës zyrtare të kryeministrit Edi Rama së bashku me një delegacion zyrtar në Paris, Shqipëria dhe Franca do të forcojnë bashkëpunimin e tyre për zhvillimin e qëndrueshëm.

Ministria Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë dhe Agjencia Franceze për Zhvillim kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi për të zgjeruar bashkëpunimin e tyre dypalësh në mbrojtjen e mjedisit. Ky bashkëpunim synon të forcojë ruajtjen e biodiversitetit, menaxhimin e integruar të zonave të mbrojtura dhe menaxhimin e burimeve pyjore të vendit.

Nga ana tjetër ka për qëllin të thellojë reflektimin për mbrojtjen e zonave detare, masat kundër ndotjes së ujërave si dhe reduktimin e erozionit bregdetar, të gjitha këto, thelbësore për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në bregdetin e Shqipërisë.

Gjatë këtij nënshkrimi në selinë e Agjencisë Franceze për Zhvillim, ministrja  e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Marie-Hélène Loison, Zëvendës-shefe Ekzekutive e Agjencisë Franceze për Zhvillim, rikonfirmuan këtë angazhim të vendosur dhe konstruktiv.

Ministrja Kumbaro vuri në dukje se: “Viti i Pyjeve vazhdon përtej mbjelljes së pemëve. Nën kornizën e Marrëveshjes Dypalëshe me Qeverine Franceze që u nënshkrua dje, kam privilegjin të nënshkruaj një marrëveshje të rëndësishme me Agjencinë Franceze për Zhvillim për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zonave të mbrojtura. Franca është lider në administrimin dhe shëndetësimin e pyjeve dhe eksporton ekselencën franceze në këtë fushë. Agjencia Franceze për Zhvillim është tashmë një partner shumë i rëndësishëm i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në projektet e mëdha të ekonomisë qarkulluese dhe menaxhimit të mbetjeve, ndaj s’mund të gjenim aleat më të mirë dhe në kohën e duhur siç është Viti 2024 i Pyjeve, për të ndërtuar një urë të re bashkëpunimi që do të na ndihmojë me ekspertizën më të mirë të administrimit të pyjeve si pasuri kombëtare”.

Edhe Marie Hélène Loison shprehu entuziazmin e duke theksuar se:

Ky memorandum mirëkuptimi është një moment historik i ri në angazhimin e vazhdueshëm të Agjencisë Franceze për Zhvillim në Shqipëri. Ne jemi të vendosur të përdorim të gjitha mjetet e bashkëpunimit të Agjencisë Franceze për Zhvillim dhe “Expertise France” për të mbështetur Qeverinë Shqiptare në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Kjo marrëveshje përcakton më saktë kuadrin e bashkëpunimit tonë dhe vendos një bazë solide për një partneritet edhe më të frytshëm në sektorin e mjedisit në vitet e ardhshme.”

Ky memorandum Mirëkuptimi i nënshkruar në Paris, shpreh angazhimin e përbashkët për zbatimin e programeve për shkëmbimet dhe përfitimet e ndërjsjellta në fushat prioritare të biodiversitetit dhe ruajtjes së burimeve natyrore.

Shqipëria bashkëpunon prej pesë vitesh me Agjencinë Franceze për Zhvillim si partner në bashkëpunimin dhe ekspertizën teknike me qëllim mbështetjen e vendit drejt përafrimit të direktivave të BE dhe zbatimin e marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike.

/rtsh.al/