RTSH 24 Live

Rajon

Shkup, goditje përfaqësimit etnik, Gjykata Kushtetuese shfuqizon “Balancuesin” e punësimeve

09/10/2024

Shkup, goditje përfaqësimit etnik, Gjykata Kushtetuese shfuqizon “Balancuesin” e punësimeve

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shfuqizojë instrumentin që ka garantuar përfaqësimin etnik në institucionet shtetërore. Sipas raportimeve nga mediat në Shkup, anëtarët e gjykatës kanë votuar në mënyrë të fshehtë, ndërsa një gjyqtar, Naser Ajdari, ka munguar.

Kreu i Gjykatës, Darko Kostadinovski, pretendoi se “Balancuesi” ka shkelur të drejtat e qytetarëve në lidhje me deklarimin e përkatësisë etnike dhe ka krijuar diskriminim, duke argumentuar se në konkurset e punës, bashkësitë nuk kanë pasur mundësi të barabarta për të konkurruar.

Heqja e “balancuesit” ishte një kusht që partia aktuale në pushtet, VMRO DPMNE, u kishte vendosur partive shqiptare për të marrë pjesë në qeverinë e re pas zgjedhjeve të 8 majit. Motoja e tyre ka qenë “Përgatitja profesionale para përkatësisë etnike gjatë punësimeve”.

Një anëtar i koalicionit VLEN, tha këtë të mërkurë se pavarësisht vendimit të Gjykatës, ata do të paraqesin një ligj të ri brenda pesë ose gjashtë javëve. Ndërsa, Fronti Europian ka reaguar ashpër, duke theksuar se shfuqizimi i “balancuesit” është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit dhe se është e kotë të flitet për një propozim të ri ligjor pa ndonjë plan konkret. Që nga ardhja në pushtet e VMRO-së në fund të qershorit, më shumë se 800 shqiptarë janë larguar nga puna në Maqedoninë e Veriut.

/RTSH/