RTSH 24 Live

Botë

Shembja e urës në Baltimorë, nxirren nga uji dy trupa të pajetë

28/03/2024

Shembja e urës në Baltimorë, nxirren nga uji dy trupa të pajetë

Nxirren trupat e pajetë të dy personave që kishin mbetur të bllokuar në automjetin e tyre, që ra në ujë nën urën e Baltimorës, pas shembjes së kësaj të fundit prej përplasjes me një anije.

Autoritetet i identifikuan viktimat si Alejandro Hernandez Fuentes, një 35-vjeçar me origjinë nga Meksika që jetonte në Baltimorë dhe Dorlian Ronial Castillo Cabrera, 26 vjeç, i cili ishte nga Guatemala dhe jetonte në Dundalk, Maryland .

Zhytësit gjetën trupat në një kamionçinë të kuq në lumin Patapsco afër mesit të urës Francis Scott Key.

Katër punëtorë të tjerë të ndërtimit që kishin qenë në urë mbeten të zhdukur dhe supozohet se kanë vdekur. Punëtorët në urë, gjithsej gjashtë, vinin nga Meksika, Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori.

Të gjitha përpjekjet e kërkimit janë shterur, dhe bazuar në skanimet e sonarit, autoritetet thanë se besonin "në mënyrë të vendosur" se automjetet e tjera me viktima brenda ishin të mbështjellë në superstruktura dhe beton nga ura e shembur. Një bashkëpunëtor i personave të zhdukur tha dje se atij i ishte thënë se punëtorët ishin në pushim dhe ishin ulur në kamionët e tyre të parkuar në urë kur ajo u thërrmua.

Guvernatori i Maryland, Wes Moore, u tha familjeve të viktimave: "Estamos contigo, ahora y siempre" - "Ne jemi me ju, tani dhe gjithmonë".

/rtsh.al/