Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të takohen ditën e hënë më 24 qershor në Luksemburg, ku në rend dite është edhe takimi me ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pika e parë e takimit, i cili nis në orën 08:30 dhe drejtohet nga kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, do të jetë debati për agresionin rus ndaj Ukrainës, pas një shkëmbimi jozyrtar të mendimeve me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, përmes videos. - Konferenca.
Ministrat do të kenë një diskutim edhe për situatën në Lindjen e Mesme, në dritën e zhvillimeve të fundit, thuhet në njoftimin e BE-së.
Kryediplomatët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, në margjinat e mbledhjes së Këshillit të BE-së të hënën, pritet të diskutojnë mbi mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin e përbashkët në dritën e “fërshëllimes” së zgjerimit. Gjithashtu, në fokus pritet të jetë edhe harmonizimi i plotë i vendeve të rajonit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Takimi do të vazhdojë me shkëmbimin e mendimeve për Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë.
Ndryshe, BE-ja edhe më herët ka shprehur përkushtimin e saj për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, si dhe për lidhje të ngushta me partnerët e këtij rajoni dhe bashkëpunim në një sërë fushash të rëndësishme, duke ofruar ndihmë dhe mbështetje të konsiderueshme financiare.
Në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në 2003 në Selanik, BE ripohoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron brenda BE-së. Në qershor 2022, liderët e BE-së shprehën angazhimin e tyre të qartë për perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe bënë thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.
/rtsh.al/