RTSH 24 Live

Rajon

Serbia ndalon “Mirëdita Dobar Dan”, Ministria e Brendshme serbe nuk lejoi mbajtjen e festivalit kulturor

28/06/2024

Serbia ndalon “Mirëdita Dobar Dan”, Ministria e Brendshme serbe nuk lejoi mbajtjen e festivalit kulturor

Pak para se të enjten në Beograd të hapte siparin festivali  “Mirëdita Dobar Dan” që synonte  promovimin e lidhjeve kulturore mes Kosovës dhe Serbisë, ministria e brendshme serbe urdhëroi ndalimin e tij.

Arsye, dikasteri serb i brendshëm ka dhënë shqetësimet për sigurinë, pasi rreth njëqind persona që valëvisnin flamuj serb dhe mbanin simbole fetare u mblodhën duke protestuar kundër eventit i cili ishte parashikuar të mbahej në Dorcol Platz në qendër të Beogradit.  Për ngjarjen ndërkohë reagoi kryeministri I Kosovës Albin Kurti, I cili në një postim në rrjetin social x u shpreh se pasi refuzoi sërish nënshkrimin e marrëveshjes bazë të ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia sërish i dha fund një iniciative të sponsorizuar nga evropianët.

Një festival kulturor me një histori dhjetëvjeçare ku festohet diversiteti dhe bashkimi i artistëve nga Kosova dhe Serbia, u morr peng nga zëvendëskryeministri serb dhe ministri i brendshëm Ivica Daçiç që e deformoi atë në një mori mesazhesh urrejtjeje dhe diskriminuese. Në vend të artistëve, fjala iu dha grupeve të huliganëve, theksoi Kurti. 

Ndalimi i festivalit nga autoritetet serbe u kritikua edhe nga zyra e BE-së në Serbi. Zhgënjyes anulimi i festivalit të financuar nga BE Mirëdita Dobar Dan, i cili zhvillohej që nga viti 2014. Kjo iniciativë shërbente në ndërtimin e urave mes popujve, pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për normalizmin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, u shpreh zyra e BE-së në një postim në rrjetet sociale.

/RTSH/