RTSH 24 Live

Botë

Samiti, Von der Leyen kërkon "armatosjen" e Evropës: Të përgatitemi për më të keqen

02/03/2025

Samiti, Von der Leyen kërkon "armatosjen" e Evropës: Të përgatitemi për më të keqen

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të dielën (2 mars) pas pjesëmarrjes në samitin për Ukrainën me liderët europianë se KE-ja së shpejti do të paraqesë një plan për riarmatosjen e Europës.

Ajo i përshkroi diskutimet në Londër "të mira dhe të sinqerta", duke shtuar se u fol mbi nevojën për garanci gjithëpërfshirëse të sigurisë, duke përfshirë vendosjen e Ukrainës në një pozicion të fortë dhe sigurimin që ajo të ketë mjetet për të "fortifikuar dhe mbrojtur" veten.

Ajo thotë se kjo varion nga mbijetesa ekonomike deri te qëndrueshmëria ushtarake.

Von der Leyen deklaroi se "ne duhet të kemi një rritje në mbrojtje...ne me të vërtetë duhet të rritemi masivisht", duke shtuar se nevojitet një plan i qartë nga Bashkimi Evropian dhe një qasje e përbashkët evropiane.

"Tani është me rëndësi të madhe që të rrisim shpenzimet...është e rëndësishme që të përgatitemi për më të keqen," thotë ajo.

Ajo i dërgoi gjithashtu një mesazh presidentit të SHBA-së, Donald Trump: "Ne jemi gati së bashku me ju të mbrojmë demokracinë, të mbrojmë parimin se ekziston një shtet ligjor që nuk mund të pushtoni fqinjin tuaj ose nuk mund t'i ndryshoni kufijtë me forcë."

"Është në interesin tonë të përbashkët që ne të parandalojmë luftërat e ardhshme," shtoi ajo. 

Takimi i së dielës është një hap i rëndësishëm

Takimi i Londrës ka marrë një rëndësi më të madhe në mbrojtjen e aleatit të shkatërruar nga lufta dhe forcimin e mbrojtjes së kontinentit.

Samiti i së dielës ka të ngjarë të përfshijë bisedime për krijimin e një force ushtarake evropiane që do të dërgohet në Ukrainë për të mbështetur një armëpushim. Starmer tha se do të përfshinte "një koalicion të vullnetarëve".

Starmer i tha BBC-së se nuk i beson presidentit rus Vladimir Putin, por i beson Trumpit. “A i besoj Donald Trump kur thotë se dëshiron paqe të qëndrueshme? Përgjigja për këtë është po”, tha ai.

Starmer tha se ka "diskutime intensive" për të marrë një garanci sigurie nga SHBA

“Nëse do të ketë një marrëveshje, nëse do të ketë një ndalim të luftimeve, atëherë ajo marrëveshje duhet të mbrohet, sepse më e keqja nga të gjitha rezultatet është se ka një pauzë të përkohshme dhe më pas (Presidenti rus Vladimir) Putin vjen përsëri”, tha Starmer. "Kjo ka ndodhur në të kaluarën, unë mendoj se është një rrezik real dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të sigurohemi që nëse ka një marrëveshje, ajo është një marrëveshje e qëndrueshme, jo një pauzë e përkohshme."  BBC

/rtsh.al/