RTSH 24 Live

Rajon

Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, Vuçiç nuk do të marrë pjesë

01/12/2022

Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, Vuçiç nuk do të marrë pjesë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, nuk do të vijë në Tiranë më 6 dhjetor për të marrë pjesë në Samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Shkak, sipas medias serbe "RTV", është bërë reagimi i butë i BE ndaj emërimit të Nenad Rashiqit si ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Si pasojë e këtij vendimi, Vuçiç deklaroi se askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë për samitin BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor.

"Emërimi i Rashiqit është i turpshëm, fjala më e butë që mund të përdoret. Ai njeri fitoi më pak se 1% në zgjedhje, ashtu si Rada Trajkoviq që ishte në listën e tij. Kjo tregon se ata duan persekutimin dhe përjashtimin e serbëve nga Kosova dhe Metohia. Nuk jam i sigurt se nesër do të ketë një bisedë me komisionerin evropian pas fjalëve të mia dhe vendimeve tona. Prandaj askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë në datën 6 dhjetor për herë të parë”, ka thënë Vuçiç.

Ai akuzoi BE për qëndrim ant-serb për faktin se nuk dënoi vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Qëndrim i mjerë, antiserb, të cilin e treguan. Kam heshtur me muaj, vite, kam vuajtur marrëzi nga të gjithë dhe në rajon, në Evropë. Ajo që bëri sot, duhej të kishte marrë dënimin e merituar të BE-së. Sigurisht që nuk e bëri. Dhe kështu sillen çdo herë", tha presidenti i Serbisë.

Sipas Vuçiç, me emërimin e Rashiqit, janë shkelur jo vetëm normat e Marrëveshjes së Brukselit, por edhe e drejta ndërkombëtare publike.

Janë shkelur të gjitha parimet dhe normat demokratike, sipas të cilave dikush zgjidhet apo posti  i ofrohet dikujt që ka marrë një numër të madh votash dhe jo atij që ka marrë 1% të votave”, theksoi Vuçiç.