Shqipëria ka si objektiv që brenda dy vitesh të ketë një ushtri me rreth 10 mijë anëtarë. Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” se këtij objektivi i shërben edhe fushata aktuale për rekrutimin e ushtarëve të rinj për vitin e ardhshëm.
“Në rrafshin afatshkurtër, synimi ynë është të kemi 10 mijë forca aktive të mobilizueshme. Pra, nga 8 mijë që jemi sot të arrijmë në 10 mijë.”, u shpreh Ministri Vengu, duke vënë në dukje trendin në rritje të interesimit të të rinjve për t’u rekrutuar në ushtri.
“Vitet e fundit, forca e armatosur shqiptare është kthyer në një forcë tërheqëse. Në vitin 2023 kemi pasur 275 ushtarë rekrutë të rinj aktivë, në 2024 kemi 485, pra 210 vetë më shumë se vitin e kaluar, ndërkohë që deri tani, nëse i referohemi shifrave paraprake të shprehjes së interesit për vitin që vjen kemi 272 vetë. Fushata do të nisë edhe gjatë pranverës. Jemi në të gjithë parametrat ideale, që në një periudhë dyvjeçare të kapim objektivin”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço.
Zoti Vengu shpjegoi se edhe trajtimi financiar është përmirësuar për rekrutët e rinj ushtarë.
“Sot, Forcat e Armatosura janë mbi nivelin mesatar të administratës publike, mbi 900 mijë lekë (të vjetra në muaj). Ndërsa rekruti i ri paguhet neto 75 mijë lekë në muaj. Kjo është një pagesë e konsiderueshme për një të ri apo të re që sapo ka nisur jetën aktive, që ka mbaruar një cikël 9 vjeçar apo edhe më të lartë.”, tha zoti Vengu për RTSH.
Gjatë vitit të ardhshëm, Ministria e Mbrojtjes ka si qëllim kryesor të ngrejë dhe Forcën Rezerviste, pjesa kryesore e së cilës do të kërkohet për forcimin e kapaciteteve kibernetike dhe të mbrojtjes civile.
/rtsh.al/