Analisti Aleksandër Çipa, në emisionin ‘3D nga Alban Dudushi’ në RTSH, deklaroi se nëpër parti duhen hapur gara, dhe jo babai emëron vajzën si pasardhëse.
Sipas tij, duhet bërë një analizë për cilësinë e parlamentit nga 91 deri tani, pasi jemi të tronditur për emërimet që kryetarët u bëjnë deputetëve.
“Jemi të brengosur si shoqëri. Ka emigruar ekspertiza kombëtare shqiptare. Kishim specialistë që ikën dhe lanë boshllëk. U bënë eksperimente të papranueshme. Shkatërruam arsimin. Nuk pati ndalesë në këtë rrëmujë. U bënë grupet interesit që lobonin për interesat e tyre të momentit jo të perspektivës së vendit. Ai thotë se vajza ime është pasardhëse. Në planin njerëzor mund ta thotë, por kjo nuk ka sens në planin politik. Nuk trashëgohet partia brenda shtëpisë. E ka paracaktuar pasardhësen. Nuk ka garë, po e tha ai se dua vajzën kryetare. Demokracia tek ne nuk është demokraci, por kemi autokraci. Në parti dhe në shtet. Duhet hapur garë.” tha Çipa.
/rtsh.al/