RTSH 24 Live

Europë

Rusia, sanksione për disa zyrtarë të BE, pas sanksioneve të vendosura nga vendet e bllokut

29/01/2022

Rusia, sanksione për disa zyrtarë të BE, pas sanksioneve të vendosura nga vendet e bllokut

Tensionet në rritje mes Rusisë dhe Ukrainës duket se kanë vështirësuar edhe marrëdhënit e Moskës zyrtare me vendet e Bashkimit Europian. 

Moska ka vendosur sanksione për disa nga zyrtarët e lartë të BE-së, por nuk ka bërë publikë emrat e tyre. Moska zyrtarë mësohet se ka futur në listën e zezë edhe disa zyrtarë të tjerë të lartë evropianë duke ua ndaluar atyre hyrjen në Rusi në përgjigje të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë. 

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme Federale Ruse bëhet e ditur se veprimi i Moskës prek stafin nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe organet legjislative dhe ekzekutive. 
Ndërsa nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, i kanë bërë publikë emrat dhe sanksionet ndaj Rusisë, Moska nuk përmend emrat e individëve të sanksionuar dhe disa mësojnë vetëm kur arrijnë në kufi se masat ndaj tyre janë në fuqi, kur atyre u ndalohet hyrja. 

Moska zyrtare akuzoi Evropën për një “politikë të paligjshme, shkatërruese dhe të pakuptimtë të kufizimeve të njëanshme kundër Rusisë”. 

Ndalimet e hyrjes duket se janë të lidhura me sanksionet e BE-së ndaj rusëve që kërkojnë të zbatojnë ligjet e Moskës në Krime, e cila u aneksua nga Rusia në 2014.