RTSH 24 Live

Televizion

RTSH, Këshilli Drejtues vendos rishikimin e tabelës së pagave të punonjësve të tij

22/07/2021

RTSH, Këshilli Drejtues vendos rishikimin e tabelës së pagave të punonjësve të tij

Këshilli Drejtues i RTSH ka vendosur rishikimin e tabelës së pagave të punonjësve të RTSH. Në mbledhjen e të enjtes është miratuar me unanimitet rritja e pagave të sanitareve dhe shoferëve të institucionit. 

Në mbledhjen e zhvilluar Këshilli ka miratuar edhe një tjetër propozim të zv. Drejtorit të përgjithshëm, atë për masën e shpërblimit për anëtarët e Bordit Artistik të RTSH. Kujtojme se Bordi Artistik i RTSH-se u ngrit pak javë më parë me pjesëmarrjen e disa nga personaliteteve më të spikatura të jetës artistike dhe publicistike në vend. Ai pritet të ringrejë nga ana cilësore nivelin e programeve në Radio Televizionin Shqiptar.

Ndërkaq, çështjet e diskutuara kanë qenë edhe ato për riformatimin e paketës dixhitale të RTSH-së dhe ajo për strukturën organizative të institucionit. Për të dyja këto, Këshilli Drejtues vendosi të urdhërojë ngritjen e dy komisioneve të posaçme të përbërë nga specialistë. Ata  do të hartojnë raportet përkatëse për rishikimin e numrit të kanaleve radiotelevizive të RTSH që janë në transmetim, si dhe për ndryshime në strukturën organizative dhe programore të RTSH. 
Këto dy raporte do të shqyrtohen në mbledhjen e ardhshmë të Këshillit Drejtues të RTSH.

Në mbledhjen e të enjtes u zgjodh edhe zv/kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH. Ai është Gëzim Podgorica, i cili mori shumicën e votave në raundin e dytë të votimit.