Në Rrugën e Arbrit u hap sot edhe segmenti rrugor Plani i Bardhë-Qafa e Buallit, ndërsa të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
Balluku u shpreh se ky segment është më i rëndësishmi i Rrugës së Arbrit, ndërsa shtoi se tashmë qafa e Buallit del jashtë funksionit dhe do të përdoret vetëm për raste emergjence.
“Këto janë 10 kilometrat më të rëndësishme të Rrugës së Arbrit, duke qenë se kemi pasur gjithmonë problematikën me skarpatet në këtë zonë. Tashmë qafa e Buallit del jashtë funksionit dhe do të përdoret vetëm për raste emergjence e aksesi për Rrugën e Arbrit do bëhet direkt nga Plani i Bardhë. Rruga për shkak se ka vijën e verdhë tregon që jemi akoma në kantier. Kështu që do duhet të vazhdojmë punimet, por pa ndërprerë trafikun”, tha Balluku.
Rruga e re do të shkurtojë më tej kohën e udhëtimit Tiranë - Dibër, ndërsa edhe po punohet në tunelin e Murrizit.
/rtsh.al/