RTSH 24 Live

Politikë

Rithemelimi dhe LSI, mocion me debat në Kuvend: Rama deklarata antieuropiane për ndarjen nga Maqedonia e Veriut

13/05/2022

Rithemelimi dhe LSI, mocion me debat në Kuvend: Rama deklarata antieuropiane për ndarjen nga Maqedonia e Veriut

Grupi i Rithemelimit dhe LSI kanë kërkuar një mocion me debat urgjent në Kuvend lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama se nëse negociatat nuk hapen brenda presidencës franceze do të kërkojë ndarjen nga Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut.

Në kërkesën dërguar kryetares së Kuvendnit, Lindita Nikolla, Grupi i Rithemelimit dhe LSI e konsiderojnë këtë deklaratë të Ramës antieuropiane dhe keqdashëse në dëm të integrimit të Shqipërisë në BE.

Deputetët që kanë firmosur mocionin për debat publik janë Petrit Vasili, Erisa Xhixho, Monika Kryemadhi, Tritan Shehu, Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Belind Këllici, Edi Paloka, Flamur Noka, Sali Berisha. Në letrën e tyre ata kërkojnë mbledhjen e Konferencë së Kryetarëve që të vendosin më 16 maj një seancë urgjente parlamentare pikërisht për të diskutuar këtë çështje.

"Zonja Kryetare, siç është bërë e ditur nga mediat, Kryeministri Edi Rama sot në Bruksel është shprehur:  Ndërkohë, besoj që të gjithë e kanë të qartë që kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë. Megjithatë, ne do të ndryshojmë menjëherë kurs, siç e kemi thënë dhe siç e kemi marrë nga Këshillimi Kombëtar në rast se nuk do të kalojë në fazën tjetër vendi ynë për t'u ulur formalisht në tryezë për negociata".

Ne, si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, e gjejmë këtë deklaratë të Kryeministrit Edi Rama skandaloze, turpëruese e keqdashëse, në dëm të të ardhmes europiane të qytetarëve shqiptarë.

Thellësisht të shqetësuar, bazuar në nenin 98 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, po dorëzojmë këtë kërkesë për mocion me debat publik URGJENT në Kuvend në lidhje këto deklarata antieuropiane e të rrezikshme të Kryeministrit Edi Rama në Bruksel.

Neni 98, pika 2 e rregullores kërkon mbledhjen brenda tre ditësh të Konferencës së Kryetarëve nga ana e Kryetares së Kuvendit për vendosjen e datës së zhvillimit të mocionit në seancë plenare.

Por meqenëse bëhet fjalë për një çështje të një rëndësie jetike për të gjithë qytetarët shqiptarë, kërkojmë nga ana juaj mbledhjen URGJENTE, brenda ditës së premte datë 13.05.2022 të Konferencës së Kryetarëve dhe thirrjen e Parlamentit në seancë plenare të jashtëzakonshme ditën e hënë datë 16.05.2022 ku të debatohet rreth çështjeve të integrimit Europian dhe të shprehet edhe një herë vullneti për rrugën pro europiane të Shqipërisë në BE”, thuhet në kërkesën e tyre.

Në një intervistë për RTSH nga Brukseli, kryeministri Rama tha se nëse Bullgaria vijon të mbajë peng Shqipërinë përmes vetos kundër integrimit të Maqedonisë së Veriut, atëherë Shqipëria do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut për hapjen e negociatave.

Kërkesa e Rithemelimit dhe LSI

/rtsh.al/