RTSH 24 Live

Politikë

Rikthimi i Sali Berishës në grupin parlamentar, Flamur Noka: Ja hapat që do të ndjekim si grup !

19/04/2024

Rikthimi i Sali Berishës në grupin parlamentar, Flamur Noka: Ja hapat që do të ndjekim si grup !

Pak ditë më parë, grupi parlamentar i PD riktheu si pjesë të tij deputetët e përjashtuar nga Lulzim Basha, pas përplasjes së 8 janarit 2022. 

Por në listën e deputetëve të rikthyer në grup, nuk ishte emri i ish-kryeministrit Berisha.   

Përpara se të niste legjislatura 2021, zoti Basha nuk e përfshiu zotin Berisha në listën e deputetëve të grupit, për shkak të shpalljes non grata nga SHBA. Tani, pas bashkimit të partisë, demokratët do të tentojnë ta ndryshojnë këtë gjendje, që çoi 3 vjet më parë në një ndarje të fortë të PD. 

Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD së Rithemelimit, tregoi rrugën që do të ndiqet për të përfshirë zotin Berisha në grupin parlamentar. 

“Zoti Berisha është kryetar i PD dhe është një nga deputetët e PD. Rregullorja e Kuvendit thotë se deputetët vetëdeklarohen në Kuvend. Rregullorja thotë gjithashtu se grupi parlamentar përbëhet nga deputetët e dalë nga lista zgjedhore e një force politike. Maxhoranca mund të bëjë ç’të dojë me arrogancën e vet, por ne do të çojmë listën e plotë me vetëdeklarime pranë Kuvendit, listën e deputetëve të dalë nga KQZ dhe do të jetë e detyruar zonja Nikolla, në rast se do që të zhvillojë Kuvend, që të njohë vullnetin e deputetëve të PD. Askush në këtë tokë nuk mundet që të lërë kryetarin e PD jashtë grupit parlamentar të PD”- tha Flamur Noka për emisionin “Pa Censurë”. 

Ky veprim i pritshëm nga demokratët besohet se ka krijuar sensitivitet të lartë tek përfaqësues të trupit diplomatik, të cilët nuk duan që përbërja e grupit të PD të ndryshojë me përfshirjen e zotit Berisha, përsa kohë ai është i shpallur non grata. Por sipas Flamur Nokës skenari për të përfshirë zotin Berisha në grup do të shkojë përpara, pavarësisht se kjo mund të sjellë reagimin negativ nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA. “Sali Berisha sot është i vetmi njeri në Europë pa prova, pa fakte dhe pa akuzë. Por dua të them se ambasadat kanë punën e tyre, ne jemi vend sovran dhe kemi punën tonë. Ne veprojmë mbi bazën e ligjeve dhe të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, megjithë respektin për çdo aleat dhe çdo ambasadë të një vendi mik”- tha zoti Noka për RTSH. 

Gazetare Elona Meço 

/ rtsh.al /