RTSH 24 Live

Politikë

Spiropali: Ne mbështesim SPAK, në dallim nga gardistët e kuq të opozitës dhe ata që hypin në paralele

02/05/2024

Spiropali: Ne mbështesim SPAK, në dallim nga gardistët e kuq të opozitës dhe ata që hypin në paralele

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi të enjten në Kuvend se midis shumicës qeverisëse dhe opozitës kanë një rrugë qartësisht të ndarë sa i përket drejtësisë.

Sipas saj, shumica ka vendosur standardin e luftës kundër pandëshkueshmërisë dhe është në mbështetje të SPAK dhe të drejtësisë në përgjithësi, ndërsa opozita dëshmon se është kundër drejtësisë.

“Nga një anë i kërkoni SPAK-ut të arrestojë Veliajn, ndërsa në darkë shkoni tek rrugica e doktorit dhe mallkoni SPAK-un, duke e etiketuar si organizatë kriminale. Për të mos folur për gardistët e kuq që shoqërojnë Sali Berishën si të pandehur në dyert e SPAK-ut dhe bërtasin poshtë, poshtë SPAK-u dhe po të njëjtët gardistë të kuq që kur shkon të paraqiten aty funksionarë të tjerë apo kryetari i bashkisë, bërtasin me të madhe si në skenat e revolucionit kinez me pështyma, në “burg qëni””, tha Spiropali.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin nënvizoi se është mungesë e thellë serioziteti mënyra e sjelljes ndaj drejtësisë nga ana e opozitës.

“Po çfarë standardi është ky? Kujt ia shisni ju këtë këtë standard në raport me drejtësinë që ngriheni këtu dhe na bëni ne moral për reformën në drejtësi, të cilën fillimisht e kemi votuar me 140 vota, por sigurisht ne me kokën lart, ju me kokën poshtë, të detyruar nga ata ju e dini shumë mirë, të cilët i mallkonit nga mëngjesi në darkë, ambasadoren e BE-së të asaj kohe dhe ambasadorin amerikan. Siç vijoni dhe sot të mallkoni, ose majë paraleleve ose majë penxhereve të gjithë ambasadorët e BE-së dhe amerikanët, se me ata e keni kryesisht problemin dhe krerët e institucioneve të pavarura të drejtësisë. Ky është standardi juaj? Kjo është koherenca juaj në raport me drejtësinë? Këtë i shisni ju shqiptarëve? Dhe keni një marrëdhënie kaq të ndërlikuar me të vërtetën sa nuk po mësoni t’i thoni ditës-ditë dhe natës-natë.”, tha Spiropali duke shtuar se morali i opozitës përkthehet: Armiqtë në litar, armiqtë në burg, shokët e partisë të lirohen menjëherë.

“Duhet të kemi një sistem drejtësie ndryshe nga ai që kemi pasur 32 vjet, që nuk është i kapur për fyti nga politika dhe që dënon pandëshkueshmërinë dhe bën drejtësi. Me standard, me proces të rregullt ligjor, duke respektuar të drejtat kushtetuese dhe të njeriut për të gjithë njësoj.”, theksoi Spiropali.

/rtsh.al/