RTSH 24 Live

Politikë

Riktheu të përjashtuarit në grupin parlamentar të PD, Basha kallëzon Nikollën në SPAK

18/04/2024

Riktheu të përjashtuarit në grupin parlamentar të PD, Basha kallëzon Nikollën në SPAK

Kryetari i Partisë Demokratike ka kallëzuar në SPAK kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, ku e akuzon këtë të fundit për “shpërdorim detyre”.

Kallëzimi erdhi pas vendimit të Nikollës për të rikthyer në grupin parlamentar të PD deputetët e përjashtuar nga Lulzim Basha. Rikthimi i tyre u bë me kërkesë të Gazmend Bardhit, i cili i është bashkuara fraksionit të “Rithemelimit” brenda PD-së.

Në kallëzimin e firmosur nga Enkeljed Aliebaj, theksohet se “Lindita Nikollla ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës gjatë ushtrimit të funksionit të saj si kryetare e Kuvendit dhe cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e ligjshëm të Partisë Demokratike. Duke zbatuar një kërkesë të një deputeti, ndaj të cilit organet më të larta drejtuese të Partisë Demokratike, kanë vendosur largimin nga radhët e saj Kryetarja e Kuvendit ka cenuar të drejtat e ligjshme politike të subjektit për organizimin e brendshëm të tij dhe si dhe ka cenuar autonominë e vendimmarrjes politike e cila garantohet nga Kushtetuta dhe ligji për partitë politike".

Në kallëzimin e PD Theksohet se Nikolla duke zbatuar vendimin e Gazmend Bardhit ka marrë vendime në kundërshtim me vendimmarrjet politike të PD-së duke cenuar vullnetin politik të këtij subjektit

“Më datë 10.04.2024 jemi njohur nëpërmjet komunikimeve mediatike publike për kërkesën e deputetit Gazmend Bardhi, drejtuar Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla me objekt revokimin e të gjitha masave për përjashtimin nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të deputetëve të ndryshëm. Kjo kërkesë drejtuar Kryetares së Kuvendit përbën një qëndrim i cili është në kundërshtim me vendimmarrjet politike të organeve të drejtuese të Partisë Demokratike dhe është një cenim i drejtpërdrejtë i vullnetit politik të këtij subjekti. Në më shumë se një rast Partia Demokratike me anë të vendimeve të organeve drejtuese të saj, Kryetari, Kryesia dhe Këshilli Kombëtar ka vendosur për përjashtimin e deputetëve të ndryshëm nga Grupi Parlamentar, qëndrime dhe sanksione të cilat janë reflektuar pjesërisht edhe nga Kuvendi i Shqipërisë”, thuhet në kallëzim.

Partia demokratike akuzon Lindita Nikollën se ka lejuar Gazmend Bardhin të ushtrojë funksionet e kryetarit Lulzim Basha duke cenuar interesin e partisë,  

“Në asnjë rast Grupi Parlamentar nuk gëzon autonominë (qoftë edhe statutore) për të anashkaluar apo dalë mbi vendimet politike të strukturave drejtuese të Partisë Demokratike. Miratimi i një kërkesë në kundërshtim me vullnetin politik të subjektit është një cenim i drejtpërdrejtë i autonomisë së partisë politike”, thuhet në kallëzim.

Në seancën parlamentare të 10 prillit, Kuvendi pranoi kërkesën e Bardhit për të bërë pjesë të grupit deputetët e përjashtuar nga Basha, ndërsa për Sali Berishën, u refuzua, pasi ai nuk ishte regjistruar si anëtar i grupit parlamentar, që në nisje të legjislaturës.

Kallzim Penal - PD - Lindit... by Rtsh Faqe

/rtsh.al/