RTSH 24 Live

Politikë

Rekurset në Gjykatën e Lartë, Berisha: Rama dhe Agaçi 'gjykatës supremë', vendimi antikushtetues

27/05/2022

Rekurset në Gjykatën e Lartë, Berisha: Rama dhe Agaçi 'gjykatës supremë', vendimi antikushtetues

Kryetari i Partisë Demokratike i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët ka dënuar vendimin e marrë më 26 maj nga Këshilli i Ministrave për rregullat e reja për rekurset në Gjykatën e Lartë. Berisha deklaroi se Qeveria “Rama" mori një vendim në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe i shkaktoi vendit dhe taksapaguesve shqiptarë një dëm kolosal. Sipas tij, Kryeministri Rama dhe Engjëll Agaçi janë bërë ‘gjykatësit supremë’ me vendimin më të fundit të Këshillit të Ministrave.

“Jam për para jush për të denoncuar me ashpërsinë më të madhe vendimin e fundit të Edi Ramës me të cilën ai dëshmon çdo ditë e më shumë se Gjykatën e Lartë apo Sado - Gjykatën tani e tutje do e quani Sado - Gjykatë, Gjykata Sadushi, e ka kapur përmes Sadushit të tij, për sa koordinohet në planin e qartë të masave në mënyrën e dhënies së drejtësisë së shqiptarëve. Edi Rama dhe Sadushi i tij kanë zgjedhur drejtësinë Sui Generis për qytetarët shqiptarë dhe kjo është një histori e rëndë turpi.  Edi Rama përvetëson pronat e shqiptarëve përmes gjykatave si edhe ushtarëve të tij në administratë.   Mafia e tmerrshme e tokave, e drogës dhe e pronave, amnistohet. Nuk shkon më në Gjykatë të Lartë, mjafton të çojë qesen në Apel se sipër ja ka zgjidhur Rama në Gjykatën e Lartë.  Ky vendim sipas Ramës është bërë me qëllim lehtësim në stokun e çështjeve të Gjykatës së Lartë dhe përllogaritet se numri i rekurseve nga të cilat do të tërhiqen institucionet shtetërore, të jenë 3 mijë e 800. E sigurt dora e zezë e Delinës me Ëest Institute, që të gjithë militantë të PS, së Klubit juridik  “Qemal Stafa”, do përzgjedhë përsosmërish kundrejt barrës së rëndë, rryshfetit, se kush do falet dhe kush nuk do falet.”, tha Berisha.

Sipas kryetarit të PD të zgjedhur nga ‘Rithemelimi’ më 22 maj, mazhoranca nuk i plotëson me qëllim vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Berisha thotë se Gjykata në kundërshtim me Kushtetutën ka hapur praktikën e revokimit të vendimeve të Gjykatës së Lartë për kalim në seancë gjyqësore dhe se tashmë i kalon në gjykim në dhomë këshillimi, pa i njoftuar palët. Kjo sipas tij, është absurde, antiligjore dhe antikushtetuese.

“Prej 7 vitesh Gjykata e Lartë sot funksionon nga 2-3 që kishte, ka gjithsej 13 gjykatës, pavarësisht stokut të tmerrshëm që është krijuar. Mazhoranca nuk plotëson vendet. Përse e lë Gjykatën me gjysëm gjykatësish? Sepse i do të gjithë të klonuar, do gjykatës të klonuar alla Sadush, alla Dvoran. Dvorani është akoma lojtar rezervë. Stoku në vend që të ishte e plotësuar Gjykata me kohë, lihet me 13 gjykatës, përzgjidhen me falsifikime, do njiheni në takime të tjera, individë nga Rama dhe Agaçi për t’u vendosur në Gjykatë, por zgjidhja është gjetur, të hapim tenderin e fundit të turpshëm, që të vjelim miliona, miliona, miliona euro në çështjet civile, duke ia faturuar këtë në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.   Shqipëria pushon së funskionuari si një shtet me drejtësi në tre shkallë.  Përkundrazi, shkallë supreme e drejtësisë tani e tutje është Edi Rama dhe Don Agaçio. Ata janë bërë tani gjykatës supremë me këtë vendim turpi dhe antikushtetues”, tha Berisha.

Ndër të tjera, në konferencën para gazetarëve, Berisha ka hedhur akuza ndaj qeverisë duke thënë se fytyra e saj e vërtetë është ajo e Nexhmedin Dumanit. Ai tha se bandit kanë qenë të lidhur me qeverinë dhe kanë patur në dorë ministrat dhe prokurorët. Berisha bën thirrje për publikimin e bisedave të Suel Çelës me Taulant Çelën, të cilat sipas tij të çojnë te Edi Rama.

“Fytyra e vërtetë e kësaj qeverie është ajo e Nexhmedin Dumanit. Një serial killer i cili po flet dhe unë e vlerësoj vendimin e tij për të rëfyer, por i bëj thirrje të rrëfejë çdo gjë se deri tani nuk ka thënë asgjë tjetër vetëm atë çka kemi ditur që të gjithë. Nuk ka patur asnjë dyshim se Banda e Elbasanit dhe të tjera kanë qenë fund e krye të lidhura me qeverinë dhe kanë patur në xhep prokurorinë e Elbasanit por edhe prokurorë të tjerë të mëdhenj në Tiranë, ministra, mbi ministra. I bëj thirrje Dumanit në emër të asaj që rifiton në vetëvete një njeri që rrëfehet. Një i penduar i drejtësisë është një njeri që vendos të rrëfejë në kuptimin moral krimet që ai ka kryer për të shpëtuar shpirtin e tij dhe kjo është e pranueshme, ky rrëfim. I bëj thirrje ta bëjë të plotë me guxim, sepse ka një tendencë absolute çensure të rrëfimeve të tij tronditëse. të cilat dëshmojnë atë që është thënë çdo ditë nga media, shoqëria dhe Shqipëria. Është denoncuar me kohë. Ata plaçkisnin, vrisnin, përdhunonin, bënin  çdo gjë sepse mbyllnin çdo çështjke m eurdhër nga sipër. I bëj thirrje të dalin të gjitha bisedat e Suel Çelës me Taulant Çelën. Taulant Çela është minimumi, nuk është më i madhi, se ato shkojnë direkt tek Edi Rama”, përfundoi Berisha. 

/rtsh.al/