RTSH 24 Live

Politikë

Refuzohet kërkesa e Altin Dumanit, PS: Jo përsëritje për mandatin e prokurorëve të SPAK-ut!

26/04/2024

Refuzohet kërkesa e Altin Dumanit, PS: Jo përsëritje për mandatin e prokurorëve të SPAK-ut!

Pak javë më parë, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, kërkoi në raportimin para Këshillit të Lartë të Prokurorisë dy ndryshime të rëndësishme për 
mirëfunksionimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion: Mundësinë e rimandatimit të prokurorëvë aktualë të SPAK-ut dhe garanci për vendin e punës, pas mbarimit të mandatit. 

Por vetëm kërkesa e dytë ka gjasa të miratohet nga parlamenti. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, që drejton një grup pune me 
opozitën për ndryshimet e disa ligjeve të drjetësisë, sipas kërkesave të vetë institucioneve të drejtësisë, konfirmoi për emisionin “Pa Censurë”, 
në RTSH, se po pret opinionin e partnerëve për draftin e parë që u është nisur që prej shtatorit të kaluar. 

“Kërkesa për përsëritjen e mandatit të prokurorëve nuk është pjesë e diskutimeve. Çështja që është pjesë e tyre dhe ka një lloj dakordësie, ka të bëjë me paqartësinë në ligjin organik të SPAK-ut se çfarë ndodh me prokurorët e SPAK-ut, pasi mbarojnë mandatin e tyre. Si rregull duhet të 
kthehen ku ishin, por me krijimin e hartës së re gjyqësore apo me shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kjo do të duhet të qartësohet. 
Sugjerimi është që për vendet e suprimuara, të prokurorive të mëparshme, prokurorët e SPAK-ut të emërohen në Apele ose në Prokurorinë e 
Përgjithshme. Ne po presim mendimin e ekspertëve të BE dhe SHBA”- tha kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka në një intervistë me 
gazetaren Elona Meço për emisionin “Pa Censurë” në RTSH. 

Pyetjes, nëse kërkesa për përsëritjen e mandatit të prokurorëve të SPAK-ut, do të pranohej, duke qenë se ka edhe disa amendamente nga grupimi i Lulzim Bashës, zonja Bushka iu përgjigj qartazi dhe negativisht. Sipas saj, ka një parim që duhet ruajtur në të tilla raste. “Mandati i 
prokurorëve të SPAK-ut është i parashikuar në Kushtetutë. Në ndryshimet ligjore që po punon grupi i punës, ndryshimet kushtetuese nuk janë në objektin e punës. Rekomandohet që Kushtetuta të mos ndryshojë pa mbaruar në tërësi procesi i vetingut.” u shpreh Klotilda Bushka për RTSH. Ajo shtoi se  ndoshta që javën e ardhshme, priten përgjigjet e ekspërtëve europianë dhe amerikanë. Qëllimi është që ndryshimet të miratohen me konsensus deri në korrik, kur përfundon dhe sesioni parlamentar. 

Gazetare Elona Meço

/ rtsh.al /