RTSH 24 Live

Politikë

Partia e Lirisë mbledh Kryesinë, Meta: Qëllimi ynë, të çlirojmë administratën nga korrupsioni dhe nepotizmi!

07/05/2024

Partia e Lirisë mbledh Kryesinë, Meta: Qëllimi ynë, të çlirojmë administratën nga korrupsioni dhe nepotizmi!

Partia e Lirisë publikoi të martën 5 prioritetet e kësaj force politike, të cilat synojnë sigurinë e të ardhmes së shqiptarëve në vendin e tyre.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e kryesisë tha se "Qëllimi ynë, është  të çlirojmë administratën nga korrupsioni dhe nepotizmi".

"Të gjithë e dimë se dhe bebeja porsa lind, nuk ka vetëm atë 50 mijë lekëshin, por ka 4 mijë e 600 euro borxh për të paguar, që është dyfishi para se të vinte Rilindja në pushtet”, tha Meta.

Zoti Meta foli për nepotizimin.  Duke e cilësuar situatën si “katastrofë” ai tha se 500 raste janë vetëm në dogana dhe tatime.

Presidenti i PL tha se qëllimi final i programit të Partisë së lirisë është Shqipëria fuqi eksportuese. "Të investohet fuqishëm për kualifikimin e fuqisë punëtore dhe përjashtimin e mjeteve e prodhimit nga detyrimet fiskale, pra gjithçka për ta kthyer vendin në fuqi eksportuese”, tha zoti Meta gjatë fjalës së tij në mbledhjen e kryesisë.

Deklarata e zotit Meta erdhi në të njëjtën ditë kur shumica socialiste propozoi ndërmarrjen e një cikli të ri reformash të thella të cilat do të duhet të kenë në fokus mirëqeverisjen, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit. 

Kryeministri Rama e vuri theksin te nevoja e përmirësimeve të thella në funksionimin e institucioneve, dhe veçanërisht në krijimin e mekanizmave dhe filtrave për të parandaluar korrupsionin. Një fenomen, i cili sipas tij, vijon të mbetet shqetësues, pavarësisht përpjekjeve të mëdha, siç u shpreh ai, që janë bërë për ta luftuar atë.

/ rtsh.al /