RTSH 24 Live

Politikë

Rama në Selenicë: Kryesorja në programin tonë, njerzllëku! Rruga e lumit të Vlorës do rrisë ekonominë e zonës

27/05/2023

Rama në Selenicë: Kryesorja në programin tonë, njerzllëku! Rruga e lumit të Vlorës do rrisë ekonominë e zonës

Kryeministri Edi Rama vijon me turin e falënderimeve në vend, pas fitores së PS-së në 53 bashki në zgjedhjet vendore të 14 majit. Rama u ndal këtë të shtunë (27 maj) në Selenicë, ku tha se pika kryesore e programit të PS-së për qeverisjen vendore është të qenit më solidar me qytetarët.

Një bashkim hijesh të së shkuarës, janë aty për ta tërhequr Shqipërinë vetëm mbrapa, por dështuan dhe do të vazhdojnë të dështojnë sepse ne do vazhdojmë vetëm përpara. Në asnjë komunitet apo shtet, edhe në atë më të pasur të botës, Amerikë, mundësitë nuk janë aq sa nevojat. Kërkesat janë gjithmonë më të mëdha se mundësitë dhe nevojat, problemet e Shqipërisë dhe të gjitha komuniteteve janë më të mëdha se mundësitë. Ne do bëjmë çmos për të plotësuar sa më shumë nevoja, por askush nuk është në gjendje të plotësojë të gjitha nevojat. Ama ka një gjë që mund të plotësohet 100%, njerzllëku me të gjithë qytetarët pa dallim, të jesh në dispozicion të njerëzve dhe ta bësh moto tënden atë që shqiptarët thonë ‘hallin që nuk ma zgjidh të paktën ma qaj’. Njerëzit kanë nevojë për solidaritet. Pika e parë e programit të qeverisjes vendore të PS duhet të jetë njerzllëku”, tha Rama.

Po ashtu ai u shpreh se Rruga e Lumit të Vlorës do të kthehet në destinacion turistik, duke sjellë përfitime ekonomike për zonën.

Kam besim që Rruga e Lumit të Vlorës siç ka sjellë rritjen e menjëhershme të vlerës së tokave do sjellë edhe rritjen e vlerave të ekonomisë së zonës. Është një luginë e cila vitet e ardhshme do kthehet në destinacion turistik sepse është mrekulli e vërtetë dhe do jetë një zonë komplementare me bregun e detit dhe do jetë një territor ku shumëkush do preferojë të shkojë atje para se të shkojë në breg të detit”, deklaroi Rama.

/rtsh.al/