RTSH 24 Live

Ekonomi

Projektligji për pagesat elektronike, Xhepa: Jemi ekonomi primitive, përdorim masiv i parave në dorë

12/02/2024

Projektligji për pagesat elektronike, Xhepa: Jemi ekonomi primitive, përdorim masiv i parave në dorë

Qeveria shqiptare i ka kërkuar Bankës së Shqiptare që të udhëheqë procesin e digjitalizimit të pagesave, si mënyrë për të ulur përdorimin e parave në dorë.

Nisma e ekzekutivit është formalizuar nëpërmjet një projektligji, të cilin kryeministri Edi Rama e prezantoi edhe në fillim të shkurtit me përfaqësuesit e bankave lokale.

Bankierët thanë se shpejti do të mundësojnë shërbime pagesash edhe përmes "e-Albania".

"Jemi thuajse një ekonomi primitive për shkak të përdorimit masiv të parave në dorë. Sot në Shqipëri gati 25 për qind e stokut të parasë qarkullon si para fizike jashtë sistemit financiar dhe kjo në shumë këndvështrime e ndikon eficiencën e përdorimit të parasë në ekonomi. Në kontekstin e një bote që po shkon drejt zhdukjes totale të parasë dhe një ekonomie që ka në mënyrë masive stok paraje jashtë bankave bën kontrast shumë të madh.

Për shembull nuk është zgjidhje, tërheqja e parave të pensionistëve me kartë. Misioni është të mos i tërheqësh fare paratë fizike, por çdo veprim duhet kryer me kartë.

Thelbi i diskutimit është që ne po kalojmë drejt një sistemi të ri financiar, jo më ai tradicional. Po flasim për një sistem financiar ku qytetari do të ketë një aplikacion në celular apo portofol dhe një llogari bankare që mund ta transferojë ku të dojë. Ky është 'open banking', pra të gjitha bankat duhet të kenë akses të hapur te llogaritë e klientit. Kjo është mirë për konsumatorin, por krijon edhe rreziqe. Në një vend ku ruajtja e konfidencialitetit dhe hakerimi i të dhënave është problem serioz, mund të ketë probleme serioze. Jemi në prag të këtij tranzicioni dhe kërkohet investim serioz në modernizimin e infrastrukturës, përndryshe do të jemi me probleme serioze," u shpreh eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, në emisionin "Jetë Shqiptare" në RTSH.

/rtsh.al/