Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, nëpërmjet një postimi të mërkurën në rrjetet sociale, u shpreh i inkurajuar nga mbështetja e Komisionit Evropian për qëllimin ambicioz të Shqipërisë, për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, si dhe për hapjen e një grupi tjetër të kapitujve këtë vit.
Në një reagim në platformën X, pas publikimit të progres raportit të vitit 2024 nga Komisioni Evropian për Shqipërinë, shefi i diplomacisë shqiptare u shpreh se, “njohja e progresit të Shqipërisë, në komunikimin e këtij viti mbi Politikën e Zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe Raportin 2024 për Shqipërinë, pasqyron angazhimin tonë të fortë në përparimin e reformave dhe për të fituar ritmin në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
“Ne jemi veçanërisht të inkurajuar nga mbështetja e Komisionit për qëllimin tonë ambicioz, për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, si dhe për hapjen e një grupi tjetër të kapitujve këtë vit”, shkruan Hasani.
Ministri, në vijim, nënvizon se, Shqipëria mbetet e palëkundur në përafrimin e plotë me politikat e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke mbështetur parimet evropiane të sigurisë.
“Ne do të vazhdojmë të luajmë një rol aktiv në promovimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajonin e Evropës Juglindore”, shtoi Hasani.
Raporti
Komisioni Evropian vlerësoi të mërkurën gjatë publikimit të Raportit Vjetor për Shqipërinë se vendi ka ruajtur përgjithësisht një nivel të lartë ambicie për të ecur përpara në negociatat e anëtarësimit. Sipas Raportit, procesi i vazhdueshëm i bisedimeve të anëtarësimit duhet të çojë në një përshpejtim të reformave të lidhura me BE-në.
Dy javë më parë vendi ynë nisi bisedimet konkrete për anëtarësim me hapjen e grup-kapitullit të parë, të njohur si Themeloret, ku përfshihen fusha të rëndësishme që nga Gjyqësori dhe të Drejtat themelore, te Drejtësia e Siguria, Prokurimet publike, Statistikat dhe Kontrolli financiar.
Sa i takon qeverisë, Komisioni Evropian thotë se ajo vazhdoi të tregojë përkushtimin e saj për integrimin në BE, por nga ana tjetër vihet në dukje se ka shqetësime për ndarjen e përgjegjësive ndërmjet pushtetit vendor dhe atij qendror.
Sa i takon luftës ndaj korrupsionit, Shqipëria vlerësohet të jetë “mes të qënurit disi e përgatitur dhe mesatarisht e përgatitur, dhe se në disa drejtime ka treguar përparime.”
Raporti vlerëson rezultatet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në ndjekjen dhe hetimin çështjeve komplekse anti-korrupsion, përfshirë ato që lidhen me politikanë dhe zyrtarë të nivelit të lartë, si dhe çështjet që përfshijnë mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.
Megjithatë vihet në dukje se “korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe përpjekjet parandaluese kanë pasur një ndikim të kufizuar”.
Edhe për luftën kundër krimit të organizuar është SPAK-u ai, që ka marrë vlerësime, por vendit i kërkohet që “të vazhdojë të punojë për të siguruar pavarësinë e agjencive të saj të zbatimit të ligjit”.
/rtsh.al/