Gjermania do të mbajë më 23 shkurt zgjedhje të parakohshme. Presidenti Frank-Walter Steinmeier vendosi sot për shpërbërjen e parlamentit, një vendim që pasoi rrëzimin e koalicionit qeverisës të kancelarit Olaf Scholz, i cili humbi votëbesimin më 16 dhjetor.
Fushata zgjedhore ka filluar tashmë dhe sondazhet tregojnë se opozita konservatore e udhëhequr nga Friedrich Merz, kryeson.
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier urdhëroi sot shpërbërjen e parlamentit dhe mbatjen e zgjedhjeve më 23 shkurt, 7 muaj para zgjedhjeve të rregullta të përgjithshme. Ai tha se kjo është mënyra e vetme për të siguruar një qeveri të qëndrueshme, të aftë për të trajtuar problemet me të cilat përballet vendi.
“Pres që zgjedhjet të zhvillohet me respekt dhe mirësjellje, pasi në përfundim të tyre do të kërkohet kompromis për të formuar një qeveri të qëndrueshme”, tha ai.
Ky zhvillim vjen pasi kancelari Olaf Scholz humbi një votëbesim më 16 dhjetor. Ai po drejton një qeveri të pakicës pas shpërbërjes së koalicionit të tij më 6 nëntor për shkak të shkarkimit të ministrin të financave mes mosmarrëveshjes mbi ekonominë e dobët gjermane. Edhe pse partitë kryesore kishin rënë dakord për datën e zgjedhjeve, sipas kushtetutës i takon presidentit vendimi për shpërbërjen e parlamentit.
Fushata tashmë ka filluar dhe sondazhet tregojnë se partia e zotit Scholz renditet pas bllokut të opozitës konservatore që udhëhiqet nga Friedrich Merz. Presidenti Steinmeir bëri thirrje që partitë të qëndrojnë larg çdo ndikimi të huaj, duke sjellë në vëmendje rastin e Rumanisë ku Gjykatë e Lartë anuloi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, pas ngritjes së pretendimeve se Rusia po zhvillonte një fushatë të koordinuar në internet, për të mbështetur kandidatin e ekstremit të djathtë, që fitoi raundin e parë.
“Pres që fushata zgjedhore të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe transparente. Ndikimi i huaj është rrezik për demokracinë, qoftë ky ndikim i fshehtë siç ishte rasti kohët e fundit në zgjedhjet rumune, apo i qartë si drita e diellit, siç po ndodh aktualisht, veçanërisht në platformën X”, tha presidentit Steinmeier.
Nëse nuk të ketë ndryshim në sondazhe, qeveria e ardhshme gjermane do të udhëhiqet nga Friedrich Merz, në koalicion me të paktën një parti. Alternativa e ekstremit të djathtë, AfD, e cila gëzon mbështje te fortë sipas sondazheve, duket se nuk ka asnjë shans për të qeverisur, pasi partitë e tjera refuzojnë të punojnë me të. Çështjet kryesore të fushatës lidhen me imigracionin, mënyrën se si do të funksionojë ekonomia e ngadaltë dhe gjetja e një mënyre më efikase për të ndihmuar Ukrainën.
Tradicionalisht sistemi zgjedhor gjerman favorizon koalicionet dhe sondazhet tregojnë se asnjë parti nuk do të arrijë të sigurojë votat për të qeverisur e vetme, çka pritet të përfundojë në javë të tëra negociatash për të formuar qeverinë e re. Kjo është hera e katërt që Bundestagu shpërndahet para afatit, bazuar në parashikimet e kushtetutës gjermane të pas Luftës së Dytë Botërore. /VOA
/rtsh.al/