RTSH 24 Live

Aktualitet

Premtuan leje legalizimi për të votuar PS në zgjedhjet e 2019, GJKKO lë në burg zyrtarin e Kadastrës

28/04/2024

Premtuan leje legalizimi për të votuar PS në zgjedhjet e 2019, GJKKO lë në burg zyrtarin e Kadastrës

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën “arrest me burg” për zyrtarin e Kadastrës Dritan Stoka, ndërsa ndryshoi masën nga “arrest me burg” në “arrest shtëpi” për kryeplakun e Saukut, Agim Osmanin.

Gjithashtu GJKKO ndryshoi masën edhe për Alqi Hajdini, ish-juristi i Kadastrës,  nga “arrest shtëpie” në detyrim paraqitje.

Detyrim paraqitje u vendos edhe ndaj sekserit Ylli Baruti

Ata u arrestuan një ditë më parë me urdhër të SPAK dhe akuzohen “për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”,  dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, pasi këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime aktive gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2019, duke kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të personave që do të merrnin pjesë në zgjedhje, duke i detyruar për të votuar ose përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta, për qëndrim në punë ose dhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut, Tiranë”.

Korrupsioni mes bashkëpunëtorëve u zbulua gjatë përgjimeve të bisedave telefonike.

/rtsh.al/