RTSH 24 Live

Botë

Polonia paralajmëron Evropën, Tusk: Lufta një kërcënim real dhe Evropa nuk është gati

29/03/2024

Polonia paralajmëron Evropën, Tusk: Lufta një kërcënim real dhe Evropa nuk është gati

Kryeministri polak Donald Tusk ka dhënë një paralajmërim të hapur se Evropa ka hyrë në një epokë para luftës. Ai theksoi se nëse Ukraina mposhtet nga Rusia, askush në Evropë nuk do të mund të ndihet i sigurt. “Nuk dua të tremb askënd, por lufta nuk është më një koncept nga e kaluara, është e vërtetë, ajo filloi më shumë se dy vjet më parë."- tha Tusk.

Deklarata e tij erdhi pasi një breshëri raketash ruse shënjestruan sërish Ukrainën. Ish-presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk tha se presidenti rus Vladimir Putin kishte fajësuar tashmë Ukrainën për sulmin xhihadist në periferi të Moskës pa asnjë provë dhe theksoi se ndjen nevojën për të justifikuar sulmet gjithnjë e më të dhunshme ndaj objektivave civile në Ukrainë.

Ai vuri në dukje se Rusia kishte sulmuar Kievin me raketa hipersonike për herë të parë në fillim të kësaj jave. Kryeministri polak i bëri thirrje të drejtpërdrejtë liderëve evropianë që të bëjnë më shumë për të forcuar mbrojtjen e saj.

Rusia ka intensifikuar bombardimet e saj ndaj Ukrainës javët e fundit. Forca ajrore e Ukrainës tha se kishte rrëzuar 58 dronë dhe 26 raketa , ndërsa kryeministri Denis Shmial tha se infrastruktura energjetike ishte dëmtuar në gjashtë rajone, në perëndim, qendër dhe lindje të vendit.

Gazetar: V. Zharri

/RTSH/