RTSH 24 Live

Kosovë

Plani i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi: Ambasadori italian në Prishtinë: Hap i rëndësishëm drejt njohjes

18/03/2023

Plani i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi: Ambasadori italian në Prishtinë: Hap i rëndësishëm drejt njohjes

Plani i Bashkimit Evropian për dialogun është një hap i rëndësishëm drejt njohjes de-jure të Kosovës nga Serbia”, kështu ka deklaruar për KosovaPress, ambasadori italian në Prishtinë, Antonello de Riu ndërsa shton se ky plan është marrëveshja më e mirë që mund të kishte në këtë fazë mes vendeve.

Ambasadori italian kërkon nga kryeministri, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, që në takimin e sotëm në Ohër të shfrytëzojnë momentin e krijuar dhe të arrijnë një marrëveshjen bashkë me aneksin për zbatimin e tij. Sipas tij përfitimet nga kjo marrëveshje janë të mëdha, veçmas në aspektin ekonomik.

 “Kjo është marrëveshja më e mirë që mund të kishim në këtë fazë. Megjithatë tashmë është një njohje de-facto e sovranitetit ndërkombëtar të këtij vendi tashmë globalisht, e jo vetëm nga miqtë… Është vetëm një hap i parë shumë i rëndësishëm drejt njohjes de-jure, që do të ndodhë në një moment të ardhshëm”, thotë ai.

Megjithatë, ai thekson se institucionet në Kosovë duhet të kenë angazhim politik për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sot(18 mars) në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç do të diskutojnë për planin e Bashkimit Evropian për dialogun dhe zbatimin e tij.

/rtsh.al/