RTSH 24 Live

Ekonomi

Peshkimi, sektori me rritjen më të shpejtë

19/07/2021

Peshkimi, sektori me rritjen më të shpejtë

Nga viti 2013 deri në vitin 2020 sektori i peshkimit në Shqipëri është rritur me katër herë. Në vitin 2013 sigurohej jo më shumë se 1700 ton peshk, ndërsa në vitin e parë të pandemisë sektori i peshimit ka siguruar më shumë se 8 mijë ton peshk. 
Ndërkohë gjatë vitit 2019 Shqipëria eksportoi rreth 100 milionë euro peshk dhe prodhime deti. Po të shohim statistikat, eksporti i peshkut dhe prodhimeve të detit është rritur me 3.25 herë më shumë se në vitin 2013.
Sot flota prej 745 anijesh të peshkimit nuk ka më nevoje të shkojë në brigjet italiane për t’u furnizuar me karburant si dikur, por mund ta përfitojë sasinë e nevojshme më çmimin më të ulët të blerë ndonjëherë.
Në çmimin e një litri karburant në peshkim është zbritur akciza e naftë, taksa e qarkullimit dhe ajo e karbonit. Sot sektori i peshkimit e merr naftën me çmim burse. Sot shkon në rreth 40 lekë litri i naftës nga rreth 170 lekë që ishte para 6 vitesh.
Në këtë sektor paguhet zero tatim mbi vlerën e shtuar për të blerë rrjetat e peshkimit, për të blerë anijet e peshkimi, pajisjet elektronike të tyre, apo motorët e anijeve etj.
Ky lehtësimn fiskal ka bërë që treguesit e peshkimit të jenë gjithnëj në rritje, duke e bërë këtë sektor një nga sektorët me rritjen më të shpejtë krahasuar me sektorët e tjerë të ekonomisë.
Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave për ecurinë e peshkimit në vend për vitin 2020 treguan se  zënia e peshkut, nga të gjitha kategoritë ujore, ka qenë rreth 17 mijë tonë nga 15mijë tonë që ishte në vitin 2019, duke shënuar një rritje me 12,5 %. 
Në vitin 2020, porti me numrin më të madh të anijeve të liçencuara është porti i Durrësit, me rreth 38 % të flotës së përgjithshme. Porti i Vlorës ka rreth  32 % të numrit të përgjithshëm të flotës, pasuar nga porti i Sarandës me 14 %.
Pavarësisht pandemisë së Covid 19, peshkimi mbetet një nga sektorët me rritjen më të shpejtë në ekonominë shqiptare.