RTSH 24 Live

Euro 2024

Përshëndeti me simbolin e “Ujqërve Gri”, UEFA përjashton me 2 ndeshje turkun Merih Demiral

04/07/2024

Përshëndeti me simbolin e “Ujqërve Gri”, UEFA përjashton me 2 ndeshje turkun Merih Demiral

Turqia ka marrë një goditje të madhe për ndeshjen çerekfinale që do të luajë kundër Holandës pasi UEFA ka dënuar lojtarin turk Merih Demiral për shkak të përshëndetjes me simbolin e “Ujqërve Gri” në ndeshjen ndaj Austrisë.

Në këtë mënyrë, Demiral do të mungojë në ndeshjen kundër Holandës në Berlin si dhe në gjysmëfinale nëse Turqia kalon për më tej.

Merih Demiral, i cili shënoi të dy golat në fitoren 2-1 ndaj Austrisë duke i siguruar vendin e Turqisë në çerekfinalet e Euro 2024, bëri "përshëndetjen e ujkut", me gishtin e vogël dhe gishtin tregues të ngritur, me të dyja duart në ndeshjen në Leipzig.

Përshëndetja lidhet me organizatën ultranacionaliste turke “Ujqërit Gri”, që shihet si krahu paraushtarak i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP) të ekstremit të djathtë të Turqisë, një aleat i qeverisë së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Presidentit Recep Tayyip Erdoğan.

Ideologjia e Ujqërve Gri bazohet kryesisht në nacionalizmin turk. Prandaj, kurdët, armenët dhe minoritetet e tjera në Turqi kanë qenë herë pas here objektivat e tyre. Që kur Franca i ndaloi zyrtarisht “Ujqërit Gri” në vitin 2020, qeveria gjermane është përballur me një fushatë publike të intensifikuar në favor të ndalimit të grupit nacionalist turk.

Edhe pse as organizimi dhe as përshëndetja nuk janë të ndaluara në Gjermani, përshëndetja është e ndaluar në Austri.

Demiral tha në një konferencë për shtyp duke iu referuar përshëndetjes se kjo “ka të bëjë me identitetin tim turk. Sepse jam shumë krenar që jam turk. … Jam shumë i lumtur që e bëra këtë.”

Gjesti i Demiralit ka tërhequr vëmendjen e ministres së Brendshme gjermane Nancy Faeser, e cila shkroi në X se simbolet e ekstremistëve të djathtë turq “nuk kanë vend në stadiumet tona”.

“Përdorimi i Kampionatit Evropian të Futbollit si një platformë për racizmin është krejtësisht i papranueshëm. Ne presim që UEFA të hetojë rastin dhe të marrë në konsideratë sanksionet”, shtoi ajo.

Demiral është kritikuar gjithashtu edhe nga gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut.