RTSH 24 Live

Politikë

PD në kërkim të kryetarit. Tabaku: Çdo vendim në konsultim me deputetët! Do të nisim tur dëgjesash

24/05/2023

PD në kërkim të kryetarit. Tabaku: Çdo vendim në konsultim me deputetët! Do të nisim tur dëgjesash

Demokratët kanë vendosur të nisin ringritjen me një tur dëgjese të demokratëve në bazë. Ky është vendimi i marrë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike thirrur nga Gazmend Bardhi. 

Mbledhja zgjati rreth një orë dhe u mbajt sot në mesditë në kryesinë e Kuvendit.

Në një prononcim për median pas kësaj mbledhjeje nënkryetarja Jorida Tabaku tha se do të ndërmarrin turin e dëgjesave me demokratët për të kuptuar si mund të ringrihen pas humbjes së thellë në zgjedhjet vendore të 14 majit

 14 majin e konsideron humbjen më të thellë të opozitës shqiptare dhe thekson se nevojitet reflektim.

Opozita ka përjetuar më 14 maj një humbje që në konsideratën tonë është ndër më të thellat në 30 vitet e fundit. Që ne të marrim vendimin si do ecim përpara dhe si do veprohet, kemi nevojë që të kuptojmë realisht se çfarë ka ndodhur. Kemi nevojë të nisim një tur dëgjese, një tur reflektimi me të gjithë demokratët, por njëkohësisht me të gjithë qytetarët për të kuptuar se si mund të ringrihemi”, u shpreh ajo.

E pyetur nëse do të marrë drejtimin e PD-së, pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt si kryetar në detyrë, Tabaku nuk dha një përgjigje të qartë, por u shpreh se çdo vendim do të merret në konsultim me deputetët dhe anëtarët e kryesisë.

Çdo gjë do të bëhet në konsultim me deputetët, çdo vendim që do merret do të merret bashkërisht. Unë jam duke u konsultuar me anëtarët e kryesisë, deputetë se cila është rruga më e mirë dhe rëndësishme është të mos përsëriten problemet e së shkuarës, duke nisur me kuptimin e problemeve që kemi ne dhe nxitimin. Ja detyrohemi shqiptarëve që të kemi përgjegjësi maksimale për marrjen e vendimeve”, tha nënkryetarja e PD-së.

Por a duhet të rikthehet Basha në krye të PD-së?

Deputetët demokratë janë të qartë kur thonë se një rikthim i tij dhe jo vetëm por dhe atyre që sollën partinë më të madhe të opozitës në këtë përçarje nuk duhet të marrin më drejtimin

"Lulzim Basha, Enekelejd Alibeaj nuk duhet të kandidojnë më nëse duan të bashkohet PD”  tha Saimir Korreshi.

Edhe Dashnor Sula është kategorikisht kundër.

"Qëndrimi im ka qenë i qartë i dhe i kthjellët. Nuk duhet të ketë rikthim në drejtimin e PD-së por Basha është i mirëpritur për të dhënë kontributin e tij. Nëse ne duam të lëmë konfliktin e hapur do të ishte gabim. Sherri i nisur nga 9 shtatori solli pasojat katastrofike” tha Sula.

Mendon ndryshe Enkelejd Alibeaj. I dorëhequr nga detyra e kryetarit në detyrë të PD-së, pas humbjes më 14 maj, por jo nga posti i nënkryetarit Alibeaj lë të hapur mundësinë e rikthimit të Lulzim Bashës. 

"Çdokush ka të drejtë të kandidojë për kryetar për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike" tha Alibeaj kur u pyet për Bashën ndërsa shtoi se procesi vendoset nga anëtarësia me votim të rregullt dhe të drejtë.

“Sot është e rëndësishme të ketë një PD që nuk varet nga emrat, janë rregullat, standardet, rregullat e zgjedhjes. Përgjigja më e pastër është kjo, një parti që të mos jetë në varësi të emrave individualë, shkrifërimi i partisë, anëtarësi kjo është e rëndësishme" 

Pasditja e Bashës

Ndërkohë Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha ka njoftuar një takim me të rinjt në një nga hotelet e kryeqytetit sot në ora 17:00. Për shumë kjo intepretohet si rikthim i tij pas një tërheqjeje disa mujore, dhe faktit se nuk u angazhua fare në fushatën zgjedhore të 14 majit.

Njerëz pranë tij tregojnë se nga Tirana, takimet e Bashës pritet të shtrihen në qytete të tjera të vendit. 

Partia Demokratike po kërkon ringritjen duke nisur tek procesi i zgjedhjes së kryetarit, vënd i lënë bosh nga Enkelejd Alibeaj pas humbjes së zgjedhjeve. Ndërkohë Gazmend Bardhi u emërua të drejtojë grupin parlamentar.   

/rtsh.al/