RTSH 24 Live

Politikë

PD çon koncesionin e Butrintit në “Kushtetuese”, Zhupa: Po mbrojmë pasurinë publike

14/11/2022

PD çon koncesionin e Butrintit në “Kushtetuese”, Zhupa: Po mbrojmë pasurinë publike

Ashtu siç e kishte paralajmëruar në kuvend ku u miratua vetëm me votat e mazhorancës, deputetja e PD-së Ina Zhupa ka dërguar në Kushtetuese koncesionin e Butrintit.

Mes 36 firmave të mbledhura në padi janë edhe ato të Partisë së Lirisë dhe deputetit Dashamir Shehi.

Zhupa tha se kjo bëhet për të mbrojtur pasurinë publike, ku kërkohet pezullim i tij i menjëhershëm para se të krijohen sipas saj dëme të pariparueshme.

“Jemi përpara Gjykatës Kushtetuese. Do të depozitojmë padi kundër koncensionit të Butrintit. Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të ligjit se krijojnë dëme të pariparueshme. Kjo padi duhet dorëzuar nga të paktën 28 deputet të kuvendit të Shqipërisë. Çështja është me shumë rëndësi, ne kemi ardhur me 36 firma ku 1 është deputeti Dashamir Shehi, 3 të Partisë së Lirisë dhe të tjerat të PD. Lidhet me vjedhjen e pasurisë së përbashkët publike, është një padi e përgatitur nga katër avokatë. Është një padi që do të fitojë Butrinti, do të fitojnë Shqiptarët”, tha Zhupa.

Kuvendi miratoi me 75 vota pro, 18 kundër dhe 1 abstenim marrëveshjen për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintin nga fondacioni shqiptaro-amerikan AADF, në të cilën bën pjesë edhe shteti. Kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.

Koncesioni i Butrintit ka përplasur shpesh mazhorancën dhe opozitën, ku kjo e fundit akuzon qeverinë për grabitje të pronës publike për t’i dhënë për ndërtim oligarkëve.

/rtsh.al/