RTSH 24 Live

Politikë

PD: Berisha mashtron hapur

14/01/2022

PD: Berisha mashtron hapur

Partia Demokratike hodhi pohtë si mashtrim i hapur, deklaratat e ish kryeministrit Sali Berisha se protesta e 8 janarit ishte një protestë paqësore. Ajo publikoi të premten një video me pamje sipas saj nga dhuna e ushtruar nga protestuesit në datën 8 janar në selinë e PD-së.

PD citon deklaratat e ish-kryeministri Sali Berisha, i cili një ditë më parë pas dëshmisë në Prokurori u shpreh se “kjo është protesta më paqësore në historinë e vendit”, dhe të deputetit Flamur Noka, i cili dje pas dëshmisë në Prokurori u shpreh se, “protesta, siç e patë ju, ishte më paqësorja që është zhvilluar ndonjëherë. Asnjë xham makine nuk është thyer”.

“Ja si mashtrojnë hapur. Demokratët u shkëputën përgjithmonë nga ata që përdorën dhunë”, thekson PD.

“Vetëm një njeri në hall të madh mund të mashtrojë hapur shqiptarët për dhunën dhe terrorin e ushtruar kundër PD”, shton PD.

Sipas PD, “Sali Berisha ishte ideatori dhe urdhëruesi i dhunës dhe terrorit. Sali Berisha kërkonte që mbi gjakun e demokratëve të negocionte “non grata-n” e tij. Njësoj si ai, edhe ndihmësit e tij të sulmit përpiqen të mohojnë dhunën që e pa gjithë bota. Demokratët e kuptuan dhe u shkëputën përgjithmonë nga ata që e kanë përdorur dhunën si mjet politik!  Ne kemi zgjedhur të ardhmen”.

“Momenti që një seli partie qëndronte e pushtuar me banditë, tregonte gjithçka se ç’ndodh në narkoshtet”, theksoi Berisha dje në deklaratën e tij pas dëshmisë në Prokurori.