RTSH 24 Live

Politikë

Opozita hodhi molotov para Bashkisë, SHBA-BE-Britani: Dënojmë aktet e dhunës

19/04/2024

Opozita hodhi molotov para Bashkisë, SHBA-BE-Britani: Dënojmë aktet e dhunës

Ambasada e SHBA-së, ajo e BE-së, ambasada britanike, prezenca e OSBE-së dhe ambasada italiane kanë dënuar aktet e dhunës të zhvilluara sot nga protestues të opozitës para Bashkisë Tiranë, ku u përdorën edhe molotovë para dyerve të institucionit.

Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar mbi protestën e opozitës para Bashkisë së Tiranës, ku protestuesit hodhën molotov para derës së institucionit. Ambasada amerikane ka dënuar aktet e dhunës, ndërsa thekson se aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme”, thuhet në postimin e ambasadës së SHBA-ve në rrjetin social X.

Aktet e dhunës në protestën e sotme të opozitës, janë dënuar edhe nga BE. Sipas BE-së, akte të tilla dhune nuk kanë vend në një vend demokratik.

Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, thuhet në njoftim.

Mbi protestën e opozitës të shoqëruar me shpërthime molotivi e tentativa për çarjen e kordonit të sigurisë, ka reaguar edhe ambasada britanike. Skenat jashtë bashkisë, për ambasadën britanike, nuk kanë vend në demokraci.

"Skenat jashtë Bashkisë së Tiranës sot dhe përdorimi molotovit nuk ka vend në demokraci. Ambasada Britanike dënon përdorimin e dhunës dhe aktet e frikësimit.  Mbretëria e Bashkuar vazhdon të kërkojë që të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet të kryhen përmes proceseve demokratike, pa dhunë dhe se duhet respektuar sundimi i ligjit", thuhet në reagim. 

Kujtojmë se në protestën e sotme të ndërmarrë nga opozita para Bashkisë së Tiranës për dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, u hodh molotov e bojë para derës së institucionit.

Po ashtu, protestuesit tentuan edhe çarjen e kordonit të policisë, me qëllim hyrjen në ambientet e Bashkisë së Tiranës.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dënoi gjithashtu aktet e dhunës gjatë protestës së sotme. "Protesta paqësore është akt demokratik legjitim, dhuna jo", thuhet në njoftim. 

Dhuna në protestë dhe përdorimi i molotovëve është dënuar edhe nga ambasada e Italisë në Tiranë, ku thotë se akte të tilla janë të pajustifikueshme.

“Ambasada e Italisë në Tiranë dënon aktet e dhunës të kryera sot gjatë protestës së zhvilluar para Bashkisë Tiranë. E drejta për t'u organizuar paqësisht e për të protestuar është thelbësore në një shoqëri demokratike, por dhuna ndaj objekteve apo personave nuk është aspak e justifikueshme”, shkruan ambasada italiane.

/rtsh.al/