RTSH 24 Live

Botë

OKB: Lufta zhvendosi 80% të popullsisë së Gazës

02/07/2024

OKB: Lufta zhvendosi 80% të popullsisë së Gazës

Rreth 80% e banorëve të Rripit të Gazës tani janë të zhvendosur, sipas koordinatores humanitare të OKB-së për territorin, Sigrid Kaag, e cila deklaroi se ishte “thellësisht e shqetësuar” nga urdhrat e reja të evakuimit të lëshuara nga ushtria izraelite.

“Më shumë se një milion njerëz janë zhvendosur përsëri, duke kërkuar strehim dhe siguri, (duke e çuar) numrin e njerëzve të zhvendosur në të gjithë Gazën në 1.9 milion”, theksoi Kaag në selinë e OKB-së.

Rreth 2.4 milionë njerëz jetojnë në territorin palestinez, i cili është i rrethuar dhe bombarduar nga Izraeli si hakmarrje për sulmin vdekjeprurës nga lëvizja islamike Hamas më 7 tetor.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se deri në 250 000 njerëz janë prekur nga urdhri i dhënë nga ushtria izraelite për civilët për të evakuuar Al-Qarara, Bani Souhaila dhe qytete të tjera pranë Khan Younes.

“Civilët palestinezë në Gaza janë zhytur në një humnerë vuajtjesh. Jetët e tyre janë shkatërruar. Lufta jo vetëm që ka krijuar krizat më të thella humanitare. Ajo ka lëshuar një vorbull mjerimi njerëzor”, shtoi Sigrid Kaag. 


/ rtsh.al /