RTSH 24 Live

Botë

OKB: 156 refugjatë të Republikës së Afrikës Qendrore kthehen nga Kameruni

15/04/2021

OKB: 156 refugjatë të Republikës së Afrikës Qendrore kthehen nga Kameruni

Rreth 156 refugjatë nga Republika e Afrikës Qendrore (RAQ), shumica e tyre fëmijë, janë kthyer nga Kameruni në zona të sigurta në vendin e tyre pas ekzilit disa vjeçarë, njoftoi të mërkurën Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR).

Refugjatët e kthyer u dërguan në qytetet Baoro dhe Berberati këtë fundjavë nga Kameruni, shkroi në Twitter UNHCR në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore.

Kthimi i refugjatëve filloi tre muaj më parë, por ishte ndërprerë nga dhuna pas zgjedhjeve në RAQ, shtoi UNHCR.

"Ata po kthehen në zona të sigurta dhe morën ndihmën thelbësore", theksohet më tej.

Grupi i të kthyerve përfshin 101 fëmijë që kishin jetuar në Kamerunin fqinj, "disa që nga viti 2014". Kur udhëtimi i tyre për në atdheun e tyre u ndërpre, ata përkohësisht qëndruan në qendrën transite të Beloko në vendkalimin kufitar Beloko me Kamerunin, ku lindi një foshnjë, tha Zyra e UNHCR-së.

Ndërsa siguria u përmirësua brenda dhe përreth shtëpive të tyre, refugjatët ishin në gjendje të ktheheshin në mënyrë të sigurt me kohë për muajin e shenjtë musliman të Ramazanit, shtoi UNHCR-ja në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore.

Sipas agjencisë së OKB-së, afërsisht 5.000 refugjatë nga RAQ u kthyen në shtëpi gjatë vitit 2020 pas viteve të ekzilit në Kamerun dhe Republikën Demokratike të Kongos.

Situata në RAQ, një vend pa dalje në det u përkeqësua pas refuzimit të kandidaturës së ish-presidentit Francois Bozize për zgjedhjet presidenciale të dhjetorit 2020.

Armiqësitë midis koalicionit të grupeve të armatosura joshtetërore dhe forcave qeveritare kanë vazhduar gjatë katër muajve të fundit, duke e zhytur vendin në një cikël të ri të dhunës./AA